“S’i ndihmojmë dot qytetarët siç po bën Kosova,” eksperti: Familjet shqiptare drejt një varfërimi ekstrem

schedule20:00 - 15 Shtator, 2022

schedule 20:00 - 15 Shtator, 2022

Një grup pedagogësh nga Universitetet publike të vendit kanë protestuar sot para Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë. Me argumentin se kanë pagat më të ulëta në rajon ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave deri në bojkot të mësimit.

Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, eksperti i ekonomisë dhe financave Akil Kraja tha se protesta të tjera mund të pasojnë pasi situata është kritike

“Protesta bën sens. Jemi në një situatë rritje çmimesh, ku 40 për qind e të ardhurave shkon për ushqim dhe sigurisht buka e gojës është ajo që preket e para. Në muajt në vijim situata do të bëhet më e vështirë për shtresa më vulnerabël,” u shpreh ai.

Ndërsa, duke komentuar masat e marra deri më tani nga qeveria, Kraja thotë se janë të pamjaftueshme dhe deri diku të marra vetëm për të qetësuar disi masën.

Inflacioni është çështje e bukës së gojës.  Kjo që po flitet aktualisht është një ndërhyrje indeksimi. Por ka një diferencë shumë të madhe, nëse pagat nuk janë rritur nga 2013 dhe inflacioni ka qenë 2-3 për qind. Në vitet e fundit kemi pasur rritje 20 për qind dhe pagat kanë qenë në vend numëro. Pra, kjo është një masë e vonuar, që po përpiqet të qetësojë valën e protestave.  Pagat nuk janë rritur kurse inflacioni ka qenë cdo vit deri në 2-3 për qind për vit. Është e kotë, ndërhyrje e vonuar. Inflacioni me llogaritjen e gushtit 8.5 për qind.

Eksperti i ekonomisë theksoi se vërtet kriza nuk varet nga Shqipëria, por ajo që varet nga qeveria është mënyra sesi paraja publike shpenzohet.

Kurse, për krizën energjitike dhe situatën në të cilën ndodhet Fjerza aktualisht, ai bën me faj shtetin për keqmenaxhim.

“Çmimi vendoset nga shteti dhe çmimi nuk bie, shteti po ushqen rritjen e çmimit të energjisë. Shteti thotë unë mbaj çmimin e naftës së lartë me qëllim që të marr taksa të larta, dhe pastaj këto lëkë ti kthej gjoja me indeksimin. Jemi në një situatë ku qeveria s’e ka në kontroll fuqinë blerëse, tregun. Fakti që euro po bie është fakt, por nuk është meritë e qeverisë.”

Po ashtu, Kraja paralajmëroi se borxhi publik i Shqipërisë po rritet në mënyrë të tejskajshme dhe për këtë arsye qeveria nuk u vjen dot në ndihmë qytetarëve siç po bën Kosova në këtë kohë krize.

“Borxhi i jashtëm, ka shkuar në 110 për qind. Rreth 9 miliardë është borxh i jashtëm. Mbi 45 për qind, 4 miliardë janë në interes variabël, inflacioni do kthehet në rritje të normës së interesit bazë. Në muajt në vijim, shteti shqiptar do të hasë një rritje të normës së interesit bazë të jashtëzakonshëm. Po shkon rreth 3600 euro për frymë. Borxhi publik i rritur në mënyrë të tejskajshme, dhe s’i ndihmojmë dot qytetarët si Kosova.”

Ajo që i pret shqiptarët, sipas parashikimit të ekspertit të ekonomisë është një situatë varfërimi ekstrem.  /abcnews.al/