Nga Panagiotis Ioakeimidis “To Vima”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar, po kërkojnë që të nisë sa më shpejt një dialog midis Greqisë dhe Turqisë për të zbutur tensionet e vazhdueshme midis 2 vendeve.
Përveç listës së akuzave të pabaza që lëshoi ndaj Greqisë në një letër që i ka dërguar së fundmi Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, pohon se “pavarësisht qëndrimit të Turqisë në mbështetje të një dialogu dhe bashkëpunimi dypalësh, është Greqia ajo që po i shmanget dialogut”.
Kështu, edhe pse Ministri i Jashtëm turk pretendon se dëshiron dialog, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi publikisht se nuk e konsideron Greqinë si një bashkëbiseduese të denjë! Si mund të krijohen kushtet për një dialog nën këtë klimë toksike, kur pala tjetër flet për shembull për perspektivën që Turqia të pushtojë ushtarakisht ishujt grekë?
Si mund të “angazhohet” Greqia me Turqinë me një kornizë të vërtetë bashkëpunuese? Aktualisht ka shumë pak (nëse ka vërtet) hapësirë që të ndodhë diçka e tillë. Pasi për fat të keq, ne kemi arritur në pikën e të qenit në prag të luftës, sepse kur patëm mundësinë për të “arritur një mirëkuptim me Turqinë në bazë të dialogut”, siç ndodhi në vitin 2004, nuk e bëmë këtë.
Në atë kohë ne grekët besuam se “koha është në anën tonë”. Dhe tani po shohim rezultatet e atij arsyetimi. Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, dhe sado utopike që mund të duket për disa, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse të këmbëngulim në ndjekjen e objektivit të dialogut dhe të “përfshirjes” së Turqisë në kornizat bashkëpunuese, veçanërisht ato të Bashkimit Evropian.
Ministrja e Jashtme franceze, ishte shumë e qartë në qëndrimin e saj gjatë vizitës së saj të fundit në Athinë. “Është e natyrshme dhe e dobishme, që me një vend aleat dhe fqinj të ruhet një dialog i hapur dhe një kanal komunikimi, në mënyrë që të jetë e mundur të diskutohet gjithçka”- tha ajo në një intervistë për të përditshmen greke “Kathimerini” më 6 shtator, duke e nxitur Athinën që të ecë në atë drejtim.
Nga ky këndvështrim, do të kishte qenë e dobishme nëse në letrën e tij elokuente drejtuar NATO-s, OKB-së dhe vendeve anëtare të BE-së, në të cilën ai e akuzonte Turqinë për sjellje armiqësore, Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, të kishte përfshirë edhe një sërë nismash specifike për fillimin e një dialogun dypalësh.
Bisedimet duhet të përfshijnë edhe rivendosjen e menjëhershme të kanaleve diplomatike dhe të kanaleve të tjera të komunikimit midis dy vendeve, një moratorium mbi deklaratat publike nga të dyja palët për të qetësuar situatën aktualisht shumë të tensionuar, dhe një riaktivizim sa më shpejt që të jetë e mundur të bisedimeve “eksploruese”.
Ndërkaq, letra e zotit Dendias nuk përmbante asnjë nga ato që u lart-përmendën. As fjalimi i rëndësishëm i kryeministrit grek gjatë Forumit Ndërkombëtare të Selanikut, që u mbajt fundjavën e kaluar, nuk përfshinte asnjë lloj reference për rifillimin e një dialogu Greqi-Turqi.
Përkundrazi, duke iu drejtuar në mënyrë retorike presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në gjuhën turke, Mitsotakis tha ndër të tjera “Dailikia yok!”, gjë që do të thotë se Greqia i përgjigjet me “Jo” kërcënimit të Ankarasë dhe se nuk do ta tolerojë atë.
Por në konferencën e tij për mediat ditën e nesërme, kreu i qeverisë greke tha se është i gatshëm të takohet me presidentin turk. Sa i përket përpjekjeve për ta përfshirë Turqinë në një kornizë specifike për dialogun, është e nevojshme që të mos i shpërdorojmë mundësitë kur ato krijohen.
Në këtë aspekt është pozitiv zhvillimi, që siç e njoftoi vetë kryeministri, Greqia është pro pjesëmarrjes së Turqisë në Komunitetin Politik Evropian, forumi i ri politik i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, që do të përfshijë kandidatët për anëtarësim në BE, dhe ndoshta edhe Britaninë e Madhe.
Në fakt, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkoi aq larg sa deklaroi se forumi i ri duhet të shtrihet nga Oslo në Ankara dhe nga Rejkjaviku deri në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë! Siç raportoi së fundmi britanikja “The Guardian”, Greqia e kundërshtoi fillimisht pjesëmarrjen e Turqisë.
Megjithatë, pjesëmarrja e Turqisë në këtë forum, ofron mundësinë që dikush të kërkojë që Ankaraja të respektojë rregullat, të braktisë sjelljen e saj revizioniste, dhe të respektojë ligjet ndërkombëtare. Kjo i shërben edhe objektivave dhe pozicioneve të Greqisë.
Ndërkohë, është e rëndësishme që kryeministri Kyriakos Mitsotakis të mos mbështesë vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë në kuadrin e NATO-s. Diplomacia e vështirë e de-përshkallëzimit dhe e dialogut – me të cilën duhet që t’u jepet përgjigje kërcënimeve të turpshme të Erdogan – kërkon fleksibilitet, imagjinatë dhe mbi të gjitha nisma krijuese.
Shënim:Profesor Panagiotis Ioakeimidis, është ish-ambasador dhe këshilltar i Ministrisë së Jashtme greke.