Nga Roland Beqiraj
Tre degë, matematika, gjuha frënge dhe biznesi do të mbyllen këtë vit të ri akademik në universitetin “Fan Noli” në Korça. Rektori i këtij universiteti, Dhimitër Bello thotë se në fazën e parë të regjistrimeve në këto programe studimi nuk është regjistruar asnjë student.
“Mund të pezullohen për dy tre vjet siç ka ndodhur më parashkollorin disa vite më parë, që u mbyll për 1 a 2 vjet.”
Bello thotë se edhe në disa degë të tjera të mësuesisë dhe bujqësisë ka numër shumë të ulët të regjistrimeve. Ndërsa më të preferuara janë programet e studimit në Fakultetin e të Shëndetit publik, kryeson infermieria dhe dega e biznesit.
“Programet më të kërkuara janë ato që maturantët mendojnë se do kenë më shumë mundësi për tu punësuar. Janë degët e financë-kontabilitet, infermieria, mamia edukimi fizik dhe sportet. Më pak kanë programet e mësuesi, veçohet anglishtja se të tjerat janë me shifra më të ulëta të regjistrimeve. Dhe tek fakulteti i bujqësisë nuk ka shifra të kënaqshme.”
Në fazën e parë janë regjistruar rreth 450 studentë, kjo shifër sipas rektorit është pak më e lartë se në vitin e kaluar akademik. Pjesa më e madhe e të regjistruarve në universitetin e Korçës janë të rinj që banojnë në këtë qark, por ka dhe një numër më të kufizuar nga Përrenjasi dhe Librazhdi. /abcnews.al