Ukraina ka deklaruar se synon të çlirojë të gjithë territorin e saj pas nisjes së një kundërofensivë të shpejtë, por i bëri thirrje Perëndimit të përshpejtojë dërgesat e e armëve për të mbështetur përparimin e forcave ukrainase.
Pasi Moska braktisi bastionin e saj kryesor në Ukrainën verilindore të shtunën, duke shënuar humbjen e saj më të keqe që nga ditët e para të luftës, trupat ukrainase kanë rimarrë dhjetëra qytete në një kthesë dramatike në terren.
Luftimet vazhdojnë ende në rajonin verilindor të Kharkivit, tha sot zëvendësministrja e Mbrojtjes Hana Maliar, duke shtuar se forcat ukrainase po bëjnë përparim sepse motivimi i tyre është i lartë dhe operacioni i tyre i planifikuar mirë.
“Qëllimi është çlirimi i rajonit të Kharkiv dhe më gjerë – i gjithë territori në kontrollin e Federatës Ruse,” tha Maliar rrugës për në Balaklia, një qendër kritike e furnizimit ushtarak, e cila është marrë në kontrollin e forcave ukrainase dhe ndodhet 74 kilometra në juglindje.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Perëndimi duhet të përshpejtojë dërgesat e sistemeve të armëve dhe u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të “rrisin bashkëpunimin për të mposhtur terrorizmin rus”.
Forcat e armatosura të Ukrainës nuk raportuan asnjë përparim të ri sot, duke thënë se forcat ruse po bombardonin pjesë të rajonit të Kharkiv-it të rimarrë nga Ukraina dhe po sulmonin më tej në jug në rajonin e Donetskut, të cilin Moska po përpiqet ta pushtojë.
Ukraina ka zmbrapsur sulmet në rajonin e Donetskut, tha shtabi i saj i përgjithshëm, ndërsa Denis Pushilin, kreu i Republikës separatiste Popullore të Donetskut, tha se forcat e tij po zmbrapsnin sulmet ukrainase dhe se ai besonte se situata do të përmirësohej.
Serhii Gaidai, guvernatori ukrainas i rajonit fqinj të Luganskut, të cilin Moska e ka kapur, tha se një ofensivë e madhe ukrainase mund të ndodhë sot atje.
/abcnews.al