900 emigrantë të vendosur në një qendër pritjeje e cila mund të presë maksimumi 125 persona. Është ky skandali më i fundit për sa i përket qendrave për pritjen e emigrantëve në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Skandal në kufi me Meksikën për sa i përket kushteve në të cilat mbahen emigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Inspektori i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshëm ka zbuluar një strukturë pritjeje të mbipopulluar në El Paso, Teksas, pranë kufirit jugor. 750 e 900 persona, respektivisht në datat 7 dhe 8 maj, janë vendosur në një qendër e cila mund të presë vetëm 125. Lajmi është konfirmuar dhe nga CNN. Në një dhomë me kapacitet prej 12 personash maksimumi, ndodheshin 76 persona, ndërsa në një dhomë tjetër ku mund të qëndronin vetëm 8 ishin 41 persona. Shumë prej tyre qëndronin në këmbë në banjë, pasi nuk kishte vend, duke vështirësuar kështu jetesën e personave të tjerë të pranishëm në dhomë. Një konfirmim i numrit në rritje të emigrantëve që kalojnë kufirin, por dhe të mungesës së përgatitjes për të përballuar një emergjencë të tillë. /ABC News Albania 24/7