Natën e sotme në “Provokacija” me Mustafa Nanon, ka qenë i ftuar Olsi Jazexhi, historian, për të folur në lidhje me islamin në Shqipëri. Diskutimi mes gazetarit Mustafa Nano dhe Olsi Jazexhi u zhvillua në fushën e politikës, se si i shpalosnin politikanët gjestet fetare. Sipas Jazexhi, kryeministri Rama është një pro-katolik që ka emëruar vetëm katolikë në qeverinë e tij, por edhe Basha gjithashtu, është një islamofob.
Olsi Jazexhi: Jam dakord në njëfarë mënyre por dua të them që në këtë shtetin tonë, ne kemi zyrtarë publik që bëjnë gjeste fetare. Sandër lleshaj në 2013, në një shkrim të tij, e përmbyllte me thirrjen Halelujah! Pasi u shkarkua nga detyra, peshkopi Rrok Mirdita doli dhe tha se u shkarkua se ishte katolik dhe ju nuk dolët dhe të bënit një reagim. Kur ne në këtë shtetin tonë kemi një kryeministër, që me paratë e buxhetit të shtetit, solli Papën në Shqipëri dhe çoi gjithë ministrat e tij në Vatikan, pse nuk ka patur dhe atëherë një reagim?
Mustafa Nano: Ai e solli Papën si kryetar i një shteti, jo si kryetar i katolikëve.
Olsi Jazexhi: Papa është Mullah Omari i katolikëve. Wshtë kryetar i një shteti fetar dhe Edi Rama bëri gjithë atë propagandë anti laike, antikushtetuese duke i veshur ministrat e tij, që nga Lindita Nikolla e të tjerë, i çoi në Vatikan që të merrte bekimin e Papës, a thua se ne ishim republikë teokratike.
Mustafa Nano: Ky është Papa më pro-musliman që ka patur ndonjëherë historia e kishës katolike.
Olsi Jazexhi: Mund të jetë ëngjëll, laiciteti është laicitet. Nuk ka diferencë të madhe ndërmjet Papës dhe talebanëve, që të dy duan regjime teokratike. Në shkolla ne u mësojmë fëmijëve tanë që Nënë Tereza, heroina jonë e kombit, është Shën Tereza, shenjtore katolike. Ne kemi shumë probleme me kuptimin e laicitetit. Këta djemtë nuk janë zyrtarë shtetërorë, këta janë disa djem, që shkojnë në stadium, zihen dhe ne nuk kontrollojmë dot sloganin e stadiumit, ne kemi probleme të rënda në shtetin tonë.
Mustafa Nano: Jam dakord me këtë që the për Nënë Terezën, Nënë Tereza për mua duhet të studiohet në shkollë si një bijë e Shqipërisë, që u afirmua në planin kombëtar për ca vepra që ka bërë.
Olsi Jazexhi: Në shoqërinë tonë ka një islamofobi shumë të thellë, si pasojë e pushtimit kulturor që perëndimi i ka bërë Shqipërisë, si pasojë e agresivitetit të administratave evangjeliste amerikane kundër botës myslimane. Islami te ne hyn në kronikën e zezë, kur them ndonjëherë Allahu Ekber ka reaksion, kurse po të them Halelujah nuk është ky reaksion. Basha bëri thirrje në Laç, ku tha se betohej për kishë të Laçit, Basha është islamofob. Në rastin e tifozëve kemi lirinë e tyre të shprehjes, ne nuk ua mohojmë dot këtë. Rama ka vendosur ministra katolikë dhe thotë që është shumë mirë me këta, se edhe unë vetë jam katolik, pse nuk ka asnjë reagim kundër Ramës për këtë. Ai nuk po ruan balancat fetare në vend që nga kryeprokurorët, po i vendos të gjithë katolikë dhe mburret për këtë.
Mustafa Nano: Nuk më duket se e ka bërë qëllimisht këtë punë.
Olsi Jazexhi: Ai po e bën me qëllim, ai shpreh simpati për katolikët duke diskriminuar në njëfarë mënyre diversitetin fetar në vendin tonë.
Mustafa Nano: Nuk ma provoni dot që shumica e emërimeve të Ramës janë katolikë sepse nuk është e vërtetë.
Olsi Jazexhi: Atëherë po ju them emra: Gjeneral Sandër lleshaj, Donika Prelaj, Arta Marku, etj.
Mustafa Nano: Po janë emëruar qindra nga Rama dhe ka dhe myslimanë dhe ortodoks, është e vërtetë kjo.
Olsi Jazexhi: Organet e rendit po ua jep katolikëve dhe e ka pranuar vetë, shiko intervistat e tij. I duhet thënë kryeministrit që ne jetojmë në një republikë ku asnjë grup nuk duhet të favorizohet dhe nga ana tjetër kemi organe të tjera, që nga shoqërimi i këtij djalit, që sapo dëgjojnë allahu ekber e kapin e fusin në burg. Në këto momente që flasim në paraburgim është një djalë me emrin Erzen Uka, i kishin gjetur një video në internet ku bënte stërvitje dhe thoshte na do allahu të fortë, për këtë e kanë futur në burg si terrorist. Sikur ky Erzen Uka të bënte video me kalamajtë e tij e të thoshte na do Jezu Krishti apo na do NATO nuk do ta fuste njeri në burg.
Mustafa Nano: Po krijoni paralele midis islamit dhe botës laike perëndimore, ti krijo paralele midis krishterimit dhe islamit, pse krijoni me Amerikën?
Olsi Jazexhi: Sepse Amerika është vendi apo zoti i shqiptarisë së ditëve tona, shqiptarët e kanë krijuar këtë kult.
Mustafa Nano: Amerikanizmi është dukuri laike jo fetare kështuqë paralelja juaj nuk shkon./abcnews.al