Sulmi terrorist në urën e Londrës mund të ishte shmangur

schedule21:31 - 31 Maj, 2019

schedule 21:31 - 31 Maj, 2019

Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar mund ta kishin shmangur sulmin e 2 viteve më parë në Urën e Londrës, pasi agresorët kishin qenë persona nën hetim prej shumë kohësh. Avokati i familjarëve të viktimave të sulmit ka sfiduar kështu agjencitë ligjzbatuese, që nga ana e tyre mohojnë neglizhencën.

Një hetim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka konstatuar se agjencitë ligjzbatuese në vend kanë patur shanse serioze për të shmangur sulmin terrorist në Urën e Londrës.

Gareth Peterson, një avokat që përfaqëson familjarë të viktimave, ka deklaruar se agresorët kishin qenë nën mbikëqyrje që prej Janarit 2017, ndërkohë që sulmi u realizua më 3 Qershor të të njëjtit vit, duke u marrë jetën 8 personave. Avokati ka thënë se tre të dyshuarve iu desh një periudhë e gjatë që të njiheshin nga afër, aq sa t’i besonin njëri-tjetrit dhe të binin dakord për planifikimin e sulmit.

“Çdo agjenci hetimore kompetente kishte shansin ta zbulonte planin që po organizonin ata”, ka deklaruar avokati.

Tre të dyshuarit, ekstremistë islamikë të moshave 22, 27 dhe 30 vjeç lanë edhe 48 persona të plagosur kur sulmuan kalimtarët e Urës së Londrës fillimisht me një furgon dhe më pas me thika, para se të qëlloheshin për vdekje nga agjentë të policisë.

Gjashtë muaj pas sulmit, një kontroll mbi veprimtarinë e shërbimeve sekrete të brendshme MI5 tregoi se kreu i grupit të agresorëve kishte qenë nën hetim aktiv që nga gjysma e vitit 2015.

Avokati Peterson sfidoi policinë metropolitane të Londrës kur tha në mënyrë metaforike se tre agresorët po klithnin që të dëgjoheshin. Por drejtuesit e policisë hodhën poshtë shanset që të ketë patur një mundësi të neglizhuar për të shmangur sulmin./ABC News Albania 24/7