E lidhën në një pemë dhe e masakruan me thikë, vrasja e biznesmenit shqiptar në Itali me mesazh të qartë?

schedule10:37 - 6 Shtator, 2022

schedule 10:37 - 6 Shtator, 2022

Nga La Stampa:

Përse Fatmir Ara, shkurt Miri, u lidh në një pemë dhe u torturua? Përse u rrah, u pre me thikë e më pas u vra e u ekzekutua me disa plumba? Ndaj tij dyshohet se u përdorën të paktën dy armë zjarri, ndoshta një pistoletë dhe një pushkë.

Hetimet për të kapur vrasësit e biznesmenit 43-vjeçar, kufoma e të cilit u gjet në një fushë mes San Carlo dhe Vauda Canavese, vijojnë. Shqiptari, i cili prej vitesh jetonte në Mathi të Torinos, dyshohet të jetë vrarë nga 3-4 persona. Të paktën këto janë të dhënat e para që dalin nga hetimet e karabinierëve në Venaria dhe mjekëve ligjore.

Megjithatë një përgjigje më të saktë autoritetet italiane pritet që të kenë gjatë kësaj të marte, kur del edhe rezultati i autopsisë.

Ndërkohë, siç shkruajnë mediat italiane, hetuesit po analizojnë pamjet e kapura nga disa kamera sigurie të shtëpive private, të vendosura në rrugën që të çon tek vendi ku u gjet i vrarë shqiptari.

Zona në fakt gjatë natës është e pa ndriçuar dhe pa kamera. Në atë vend kanë ndodhur krime të shumta. Makina e trupa të djegur, por edhe armë e drogë të fshehur mes bimësisë, apo të groposura. Në rrugën që të çon drejt kësaj zone dyshohet se Ara u takua me vrasësit e tij, që me gjasë i njihte, apo kishte pasur të bënte kohët e fundit.

Sipas hetuesve, viktima mund të jetë futur në grackë, pak minuta pasi kishte dalë nga shtëpia. Ai ishte nisur për në punë mëngjesin e së premtes, në orën 07:30 e më pas u zhduk, pa bërë qoftë edhe një telefonatë me bashkëshorten e re me të cilën kishte 2 fëmijë.

Armët e përdorura për të ekzekutuar Arën nuk janë gjetur dhe ekspertët po kryejnë disa ekzaminime e po mbledhin çdo të dhënë në makinën e braktisur pak metra nga vendi ku u gjet trupi i pajetë. Makina mësohet se është në pronësi të një tjetër shqiptari, i cili nuk besohet të ketë lidhje me ngjarjen.

Që prej së shtunës në mbrëmje hetuesit vijojnë të marrin dëshmi nga disa persona, të njohur e miq të Mirit, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e tij e mbi të gjitha për të kuptuar rrjetin e tij të lidhjeve.

Ku duhet kërkuar për vrasësin e tij? Në punën e tij si sipërmarrës apo në fushën e shpërndarjes së kokainë? Për shkak të trafikut të drogës, shqiptari e kishte shlyer dënimin e fundit pak më shumë se një vit më parë. Ai besohej se ishte drejtues i një rrjeti që fitonte rreth 700 mijë euro nga shitja e kokainë në zonën e Ciriacese të Torino. Me pak fjalë një biznes diskret që kryhej nga njerëz të cilët në përditshmërinë e tij bënin punë të zakonshme. Nga ajo që mësohet deri më tani, shqiptari kishte kryer disa investime në zonë.

Megjithatë, mediat italiane që përcjellin këto detaje theksojnë se të gjitha këto janë hipoteza të cilat po analizohen nga hetuesit që po përpiqen të zbardhin krimin e rëndë. Për hetuesit, kushdo që vendosi ta ekzekutonte Fatmir Arën në mënyrë kaq të tmerrshme, donte të jepte një mesazh të qartë në ambientin e shpërndarjes së drogë.