Zv.kryetari i CDU/CSU: Për negociatat me Shqipërinë vendosim në shtator

schedule13:10 - 30 Maj, 2019

schedule 13:10 - 30 Maj, 2019

Zëvendësi i kryetarit të grupit parlamentar të Angela Merkel në Gjermani, Johann Wadephul ka deklaruar se Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet e vendosura një vit më parë për të hapur negociatat me bashkimin Europian, duke dalë kundër raportit të komisionit, por edhe qëndrimit të ministrit gjerman për Europën.

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, njëherazi kryetar i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul,ka thënë për Deutche Ëelle se vendi i tij do të marrë kohën e nevojshme për të shqyrtuar pozicionin e Shqipërisë sa i përket integrimit europian, gjë për të cilën ekziston një marrëveshje me grupin parlamentar socialdemokrat për t’u trajtuar në shtator të këtij viti.

“Një shqyrtim i këtillë nuk mund të bëhet me nxitim, Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat”.

Por sipas një analize fillestare, Wadephul nuk e njeh progresin për të cilin flet raporti i Komisionit Europian.

“Sipas një analize fillestare Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 26 qershor 2018. Nuk janë krijuar ende as organi i posaçëm antikorrupsion e as Byroja kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak procedura gjyqësore për raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe asnjë dënim. Kjo ishte një nga kërkesat e ministrave të jashtëm të BE-së, në qershor të vitit 2018”.

Ky qëndrim vjen përkundër atij të ministrit gjerman për Europën, Michael Roth, i cili kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë, si u premtua një vit më parë.

Për të dhënë një po për çeljen e negociatave, qeverisë gjermane i duhet më parë opinioni i shumicës së deputetëve gjermanë. Sipas burimeve të DË në Berlin, ditët e fundit ka pasur shumë ecejake për ta bindur Parlamentin gjerman ta trajtojë këtë çështje në fillim të qershorit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga konservatorët atje, si raporton DW. /ABC News Albania 24/7