Çelsi fiton Ligën e Europës, por duhet të mendojë për të ardhmen

schedule12:30 - 30 Maj, 2019

schedule 12:30 - 30 Maj, 2019

Çelsi triumfoi në Ligën e Europës, por duhet të nisë të mendojë për të ardhmen. Klubi anglez e mbylli sezonin me trofe, por duhet të kërkojë për trajner dhe lojtarë të rinj.

Ishte favorit dhe e respektoi parashikimin, madje më shumë se ç’duhet.

Liga e Europës i takoi Çelsit që triumfoi bindshëm në finalen 100 për qind angleze në stadiumin “Olimpik” të Bakusë ndaj Arsenalit, edhe pse një epokë e re mund të nisë për klubin e Londrës.

Ndeshja në Azerbajxhan përfundoi 4-1, veçse Eden Hazar e Mauricio Sarri mund të largohen, duke bërë që gjithçka ndoshta të nisë nga e para.

Sidoqoftë, ishte momenti i fitores, i një trofeu të madh, titulli i 6-të kontinental i bluve, fitore së cilës ia kalon vetëm ajo e Championsit në 2012.

Eden Hazar, edhe një herë tjetër më i miri në fushë, (me gjasë) i dha lamtumirën skuadrës dhe tifozëve me një dygolësh, një ndarje e shkëlqyer, por edhe dëshpëruese në skaj të Europës.

Golat e tjerë u shënuan nga Olivie Zhiru, që hapi rezultatin në pjesën e dytë, dhe Pedro.

Gazetat angleze ishin me ngjyrën blu.

“Deili Telegraf”: Çelsi-Arsenal 4-1! Lamtumira e Hazarit! Sulmuesi frymëzoi fitoren në Ligën e Europës!

“Metro Sport” bën lojë fjalësh: Bak dhe Blu! Çelsi triumfon në Ligën e Europës, ndërsa Hazar bën realizim të dyfishtë!

“Në pjesën e parë ndeshja ishte shumë e vështirë, – deklaroi Sarri, më pas, – ishte takimi i 64-ët I sezonit për ne, dhe ishte shumë vapë. Në pushim u kërkova lojtarëve të guxonin, edhe pse mund ta pësonim. Kjo ndodhi, ne luajtëm shumë më mirë dhe besoj se e merituam fitoren. Për të ardhmen time, më duhet të flas me drejtuesit”.

Në ndeshje ishte edhe pronari i bluve, Roman Abramoviç, që kishet 1 vit që nuk i ndiqte ndeshjet e klubit të tij.

Arsenali duhet të mendojë se i takon të ardhmes.

Djemtë e tij të talentuar, disa të rinj e disa me më shumë përvojë, nuk ishin aq bindës përballë yjeve të Çelsit, pasi skuadra e Sarrit kishte në formacion Azpilikuetën, David Luizin, Kantenë, Zhorzhinjon, Kovaçiçin, Pedron, Zhirunë dhe Hazarin, si dhe më pas Uillianin, ndërsa në stol njerëz të tillë si Higuainin apo Alonson.

“Goli i parë ndryshoi gjithçka, – u shpreh trajneri i “topçinjve”, Unai Emeri, – ne patëm mundësitë tona, por nuk i shfrytëzuam, por Çelsi e meritoi. Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen, pasi ne po përmirësohemi dhe do të jemi edhe më të fortë, pavarësisht se vitin e ardhshëm nuk do të jemi në Champions”.

Çelsi mbylli një sezon që mund të quhet i mirë, me dy finale të luajtura, një trofe të fituar dhe kualifikimin për në Champions, por tashmë me të ardhmen të pasigurt. /ABC News Albania 24/7