Nga Fieri Lulzim Basha tha se opozita ka luftuar për hapjen e negociatave, pasi përparimet konkrete janë bërë që në 8 vitet e qeverisjes së saj. Por sipas shefit të opozitës, Edi Rama është pengesa për Shqipërinë në BE.
Gjatë një takimi me mbështetës në Fier Lulzim Basha deklaroi se opozita ka luftuar për hapjen e negociatave dhe dëshira kryesore është që Shqipërisë t’i hapet sa më parë rruga drejt Bashkimit Evropian, por pengesë mbetet kryeministri Rama.
Basha tha se kauza tre mujore e opozitës është një betejë e qartë për standartet evropiane e prandaj shqiptarët, të majtë e të djathtë janë bashkuar rreth saj. Kjo sipas Bashës arrihet vetëm me përmbushjen e kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës e krijimit te një qeverie tranzitore.
Dialogu mbarëkombëtar me shqiptarët sipas kreut të opozitës ka një qëllim të vetëm, dhënien fund të tranzicionit dhe krizës politike. Basha premtoi lista te hapura, parlament me dy dhoma, si dhe fuqizim i kompetencave të presidentit.
Dritën e shpresës për t’i dhënë fund qeverisë së krimit dhe tranzicionit të vendit, Lulzim Basha e sheh në bashkimin e shqiptarëve, që sipas tij rritet dita –ditës. Këtë do ta dëshmojë edhe protesta e radhës kombëtare në Tiranë, pasditen e 2 qershorit./ABC News Albania 24/7