Ministri i Jashtëm i Rusisë ka paralajmëruar se çdo veprim që shihet si kërcënim ndaj kontigjentit paqeruajtës rus në një rajon separatist të Moldavisë do të konsiderohet si një sulm ndaj vetë Rusisë, shkruajnë mediat e huaja.
Lavrov premtoi gjithashtu se “ai do të bëjë gjithçka për të mbrojtur popullsinë rusishtfolëse të Moldavisë dhe Transnistrisë”. “Të mos harrojmë se në Moldavi, përveç Transnistrisë, është edhe Gagauzia, e cila gjithashtu kërkon një status të veçantë”, deklaroi Lavrov-i.
Deklarata e Sergej Lavrov nënvizoi shqetësimet se rajoni i Transnistrisë i Moldavisë, i cili kufizohet me Ukrainën, mund të përfshihet në konfliktin Rusi-Ukrainë.
Rusia ka vendosur paqeruajtës atje që nga fundi i një lufte tre mujore të vitit 1992 që e la Transnistrinë jashtë kontrollit të Moldavisë. Forcat ruse ruajnë gjithashtu një depo të madhe municionesh në rajon.
Në prill, tensionet në Moldavi u rritën pas një sërë shpërthimesh në Transnistri.
/abcnews.al