Borxhi 15 mijë euro, flet efektivi që plagosi kolegun: Kush më nxorri në pritë

schedule16:26 - 29 Maj, 2019

schedule 16:26 - 29 Maj, 2019

Një borxh i vjetër prej 15 mijë euro ishte arsyeja që u tentua të merrej peng një ditë më parë në Tiranë efektivi Ndue Ndoj. Pas vetëdorëzimit në polici, 25-vjeçari ka deklaruar se nuk i njihte agresorët, ndërsa në pritë e nxorri kolegu i tij që mbeti i plagosur, Ervis Murati.

Rreth 15 mijë euro ishte borxhi që vëllai i efektivit të Policisë së Lezhës Ndue Ndoj i kishte 3 personave me origjinë nga Kukësi, të cilët tentuan ta merrinin peng mëngjesin e së martës pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk.

Kështu u shpreh pas vetëdorëzimit në policinë e Tiranës 25-vjeçari Ndoj. Ai shtoi se gjatë momentit të pengmarrjes, atij i ishte drejtuar pistoleta në kokë nga një prej agresorëve, duke i kërkuar që të hipte në automjetin që e priste te dera e lokalit fare pranë Akademisë Sigurisë. Por personi që kishte dalë garant për të nxjerrë Ndojin në pritë ishte kolegu i tij i kursit të vitit të parë për gradën nënkomisar Ervis Murati.

Ky i fundit mbeti i plagosur me një plumb në bark dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës. Nga deklarimet e Ndojit, Murati ishte personi që e kishte thirrur nga kafeneja, ku 25-vjeçari po konsumonte me tre kolegë të tjerë të kursit.

Fillimisht efektivi iu bind urdhrave të agresorëve, duke shtuar se ishte i paarmatosur. Në momentin që do të hipte në automjet ia ka rrëmbyer nga dora armën e zjarrit pengmarrësit e më pas ka plagosur Muratin. Sipas deklarimit të Ndojit, ai ka thënë se nuk kishte si objektiv të qëllonte kolegun e tij 27-vjeçar, pasi arma u shkrep në mënyrë të pavullnetshme.

I vetëdorëzuari Ndoj ka pohuar se pengmarrësit nuk i njeh dhe nuk ka pasur konflikte të mëparshme me ata. Ndërkohë, i plagosuri Murati edhe pse është tentuar të merret në pyetje të Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen, duke kërkuar që sqarimet e tij t’i japë në një moment të dytë.

Të gjithë studentët që kanë qenë të pranishëm në momentin e konfliktit janë marrë në pyetje nga SHÇBA-ja, ndërsa janë pezulluar nga kursi i vitit të parë të Akademisë së Sigurisë, dy efektivët e policisë, Ndoj dhe i plagosuri Murati./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!