Shqipëria është kthyer në “dhimbje koke” për Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit në BE. Fakti që vendi ynë nuk konsiderohet gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit ka shqetësuar Shkupin zyrtar, që ka deklaruar se secili vend duhet të gjykohet në bazë të arritjeve personale.
Shkupi zyrtar po has një komplikim të mëtejshëm në rrugën drejt BE-së, për shkak të debatit nëse Unioni duhet të mbajë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në të njëjtin stad anëtarësimi.
Brukseli vlerëson progresin dhe reformat e ndërmarra së fundmi nga qeveria maqedonase, që mes të tjerash i dha zgjidhje kontestit të emrit me Greqinë. Ndërsa Tirana shihet gjerësisht nga diplomatët si më pak gati për të hapur negociatat e anëtarësimit për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një intervistë për “Financial Times”, ministri i Jashtëm Maqedonas, Nikolla Dimitrov ka deklaruar se do të donte ta ndihmonte Shqipërinë, por ka theksuar se secili vend duhet të gjykohet në bazë të meritave personale. “Votuesit europianë janë skeptikë sepse po humbasin besimin se anëtarësimet e reja mund të ndryshojnë vendet.
“Mendoj se duhet të jemi të saktë në paraqitjen e vendeve, pa i politizuar ato”, ka thënë Dimitrov. Shefi i diplomacisë maqedonase ka paralajmëruar mes të tjerash se Bashkimi Europian do të humbasë influencën në Ballkan dhe do të nxisë atë të Kinës dhe Rusisë nëse refuzon të hapë negociatat e anëtarësimit.
“Do të jetë e vështirë pastaj të flasim ballë për ballë për marrëdhënie më të ngushta mes Brukselit dhe rajonit tonë nëse shtetet anëtare dështojnë në marrjen e vendimit për hapjen e negociatave”, ka thënë Dimitrov./ABC News Albania 24/7