Propagandë në kohë përmbytjesh, kështu e quajnë demokratët pretendimin e qeverisë për rritje të punësimit dhe ekonomisë.
“Duke ju referuar të dhënave të INSTAT, që kontrollohet nga qeveria, numri i të punësuarve në 4 vjet, është rreth 30 mijë. Thënë ndryshe sa 1/10-ta e premtimit të tij elektoral, tregues i një ekonomie që nuk lëviz dhe që ka përqëndruar paranë në disa duar”.
Vetëm dy janë treguesit që në pesë vjet nuk panë kurrë rënie, tha Jorida Tabaku.
“Gjatë këtyre 5 vjetëve, në çdo buxhet që kjo qeveri solli, pati rritje taksash për bizneset e mëdha e të vogla, për qytetarët, për pensionistët. Sot, ne paguajmë 1,5 miliardë euro taksa më shumë se 5 vjet më parë.
Sot, ekonomia më e madhe infomale është ajo e drogës, kështu që është e kotë që Ahmetaj të ulet me bizneset për të diskutuar se si mund të ulet informaliteti. Sot, 1,2 miliardë euro vijnë vetëm si rezultat i drogës”.
Më e keqja është ajo çfarë bëhet me këto para, sipas Tabakut, sepse burimin e kanë drejtpërdrejt nga puna e qytetarëve, por kurrë nuk investohen për ta.
“Sot, rritja ekonomike në Shqipëri është në pikëpyetje sepse vjen e gjitha prej sektorit të ndërtimit, kur Banka e Shqipërisë thotë se nuk dihet me çfarë burimesh financohet.
Përballemi me një informalitet në rritje, ku sipas Bankës Botërore 60% e të punësuarve janë informalë.
Çdo ditë mbyllen 40 biznese nga pamundësia për të mbijetuar në një treg të pabarabartë”.
Vendet e punës do të ishin rritur realisht nëse kryeministri i vendit dhe ministri i Financave nuk do të shpenzonin 350 milionë euro vetëm për ndërtimin e fabrikave që djegin plehra, përfundoi deputetja demokrate./abcnews.al
https://youtu.be/Y3o6AgZ3pQw