Pas zgjedhjeve të mbajtura javën e kaluar për Parlamentin Evropian, që pa tkurrjen e partive tradicionale dhe avancimin e euro-skeptikëve, 6 janë skenarët për krijimin e një mazhorance të re në parlamentin e vetëm ndërkombëtar në botë.
Tani që votuesit folën radha i takon formimit të koalicioneve në Parlamentin Evropian, ku asnjë grup nuk ka mazhorancë absolute, gjë që u hap rrugë grupeve të të gjelbërve dhe liberalëve e madje duke u dhënë atyre një pozicion të fortë.
Për herë të parë që prej 1979-s, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët nuk do të kenë një mazhorancë në Parlamentin Europian. Përkatësisht me 180 dhe 152 vende, kuotat janë shumë më të ulëta nga 376 që duhen për të patur shumicën. Rrjedhimisht, të dyja palëve do t’u duhet të bëjnë aleanca, sidomos me grupin e Liberalëve dhe Demokratëve, ALDE, që fitoi 13.98 për qind të ulëseve; si dhe të gjelbërit që fituan 8.92 për qind.
Një tjetër mundësi përballë luhatjes së partive historike është edhe aleanca me nacionalistët e së majtës ekstreme. Sipas një analize të publikuar në portalin Euraktiv, situata ka 6 skenarë sipas të cilëve mund të zgjidhet.
1 / Edhe pse PPE dhe Social-Demokratët udhëheqin përkatësisht me 24 dhe 20 për qind të ulëseve, një koalicion i gjerë me 67 për qind të vendeve të Parlamentit Evropian, me përfshirjen e liberalëve dhe të gjelbërve, mund të arrihet pavarësisht ngurrimit të disa vendeve.
2 / Skenari i dytë është një bashkëpunim me partitë e qendrës. Social-demokratët dhe konservatorët jo domosdoshmërisht kanë nevojë për të gjelbërit. Ndaj një aleancë me forcat politike të Gaj Ferhofshtad dhe Emanuel Makron do të mundësonte një mazhorancë me thuajse 58 për qind të ulëseve.
3 / Skenari i tretë ndërkohë parashikon një koalicion të ngushtë. Një aleancë e përbërë nga PPE, Social-demokratët dhe të gjelbërit është e mundur dhe do të përbënte më shumë se 53 për qind të ulëseve të Parlamentit Evropian. Sidoqoftë, kjo do të ishte një shumicë e brishtë.
4 / Skenari i katërt mund të jetë një koalicion i vogël. PPE dhe Social-demokratët mund të bëhen bashkë, por një hipotezë e tillë ka pak gjasa të realizohet për shkak të ideologjisë dhe për shkak se të dyja grupet janë në rënie të vazhdueshme. Alternativa e tyre është formimi i një koalicioni të vogël do të luhatej në vartësi të mbështetjes nga liberalët ose ambjentalistët.
5 / Opsioni i pestë është një koalicion i qendrës së majtë. Me mbi 48 për qind të ulëseve, një koalicion i përbërë nga populistët e majtë francezë do t’i afrohej mazhorancës. Sidoqoftë, vështirësia nuk qëndron në arritjen e një koalicioni, por në vullnetin e liderëve partiakë për të mbështetur një aleancë. Grupet në fjalë mund të bien dakord sa u takon politikave sociale, por në ato ekonomike hendeku ideologjik është shumë i madh. Shanset janë që një nga partitë nacionaliste të majta të bëjë aleancë me partinë e Makron.
6 / Skenari i gjashtë është një koalicion mes së djathtës dhe nacionalistëve. Grupi i euroskeptikëve ka avancuar me 19 mandate në këto zgjedhje evropiane. Megjithatë, ndodhet shumë larg të qenurit mazhorancë, pavarësisht premtimet për fitore të bëra nga figura si Marin Le Pen dhe Xhordan Bardella. Të ndarë në tre grupe, euroskeptikët mund të bien dakord për formimin e një grupi të vetëm, pavarësisht përpjekjeve të zëvendës kryeministrit italian Mateo Salvini. Mes euroskeptikëve dhe anti-europianëve, aleanca praktikisht duket e pamundur. Në këto kushte, një aleancë me PPE-në, ku bën pjesë edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, është më se e mundur./ABC News Albania 24/7