Bardhi dhe Trashi pritet të largohen nga Partizani

schedule14:00 - 27 Maj, 2019

schedule 14:00 - 27 Maj, 2019

Priten ndryshime të rëndësishme tek Partizani, sezonin e ardhshëm. Dy nga lojtarët kryesorë të skuadrës mund të largohen, ndonëse drejtuesit e klubit nuk pohojnë asgjë.

Boshti do të ruhet, por jo i gjithi.

Një klub shqiptar nuk mundet të mos preket nga eksodi, as kur quhet Partizani dhe del në vend të parë.

Pjesëmarrja në Champions nuk mjafton për të bindur këdo, sidomos kur ka oferta nga jashtë vendit, dhe të tilla kanë ardhur për Jurgen Bardhin dhe Lorenc Trashin.

Kapiteni i dytë i skuadrës ka mundësi të transferohet për në Hungari, ndërsa sulmuesi mund të shkojë në Itali apo në ndonjë kampionat tjetër.

Burime në klub pohojnë se Partizani mund të fitojë rreth 500 000 euro nga shitja e kartonit të dy futbollistëve, para që do ta ndihmojnë për të realizuar afrime të rëndësishme, për të përballuar siç duhet Championsin.

Gjithsesi, njerëzit kryesorë të kryeqytetasve, natyrshëm, që janë të rezervuar në deklaratat e tyre.

Ja drejtori sportiv, Olsi Rama: “Mirëpresim çdo interes ndaj lojtarëve tanë. Nuk falim askënd dhe nuk japim askënd që të shkojë diku tjetër nëse nuk është kërkesa e tij që nuk është i lumtur tek Partizani. Deri më tani asnjëri nga djemtë nuk më ka thënë që nuk është i lumtur tek Partizani. Përkundrazi edhe ata që janë në skadencë dhe ata që u skadon kontrata vitin tjetër, të gjithë janë gati të ulen dhe të bisedojnë për rinovime”.

 Drejtori Rama pohon se puna në treg është e përhershme, por trajneri Gega thotë diçka tjetër.

Gega: “Do vijë një moment do ulemi me klubin dhe të shikojmë me kujdes se kush mund të jetë pjesë projektit vitin tjetër. Sot për sot nuk kam asgjë dhe nuk ia kam vënë syrin asnjërit nga jashtë dhe brenda Superligës. Këta që janë do uroja që të ishin me ne deri në fund”.

Partizani do të ketë fitime të rëndësishme këtë verë, të paktën 1 milionë euro nga Europa, titulli dhe të drejtat televizive, ndaj mundësitë për t’u forcuar do të jenë të mëdha./ABC News Albania 24/7