“Timoni i BE” pret djathtas, socialistët humbin deputetë

schedule22:00 - 26 Maj, 2019

schedule 22:00 - 26 Maj, 2019

Qytetarët evropianë nga 21 vende të cilët votuan këtë të diel për zgjedhjen e deputetëve në Parlamentin Evropian duket se preferojnë të djathtën, pasi sipas rezultateve të deritanishme Partitë Popullore Evropiane kanë marrë 173 deputetë, të ndjekur nga socialistët dhe demokratët me 147 deputetë dhe nga liberalët me 102 deputetë.

Të katërtit në numërimin e deritanishëm renditën të Gjelbrit me 71 euro-parlamentarë, më pas konservatorët me 58 vende si dhe grupimin ENF, ku bën pjesë dhe Lega e Salvinit me 57 vende në Parlamentin Evropian.

Të dhënat mbetën të pjesshme për shkak se vijon numërimi i votave. Por grupimi i Partive Popullore Evropiane nuk ka humbur kohë që të deklarojë jo vetëm fitoren, por edhe nisjen e menjëhershme të negociatave në mënyrë që të arrijë koalicionet e mundshme për të patur shumicën në Parlamentin Europian. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendës presidentja e PPE-së Esther de Lange.

Në zgjedhjet e kësaj të diele u arrit dhe një rekord, në lidhje me pjesëmarrjen në votime, e cila afrohet gati 51 përqind e votuesve në 27 vendet e BE, duke u bërë kështu pjesëmarrja më e lartë e votuesve ne 20 vitet e fundit. /ABC News Albania 24/7