Nga Erblina Mile
Bankat kanë shtrënguar standardet e kredidhënies për bizneset e vogla dhe individët. Kriza e çmimeve ka detyruar bankat që të jenë më të kujdesshme në miratimin e kredive. Ndikim në këtë situatë ka dhënë edhe shtimi i pasigurive dhe shqetësimet mbi dobësimin e mundshëm të aktivitetit ekonomik me zgjatjen e konfliktit në Ukrainë.
Sipas Bankës së Shqipërisë kredia për bizneset e mesme dhe të mëdha ka pësuar rritje duke kompensuar tkurrjen në segmentin e biznesit të vogël. Një masë në rritjen e standardeve të bankave ka qenë rritja e normave të interesit për kreditë e bizneseve të vogla dhe qytetarët.
Norma e interesit për kreditë e vogla (deri në 35 milion lekë), ka shkuar në 6.2%, nga mesatarja prej 6.0% e tremujorit të mëparshëm dhe e vitit 2021.
Po ashtu edhe normat e interesit për kreditë për individë kanë shënuar rritje në tremujorin e dytë të vitit. Rritja më e spikatur në këtë tremujor ishte tek kreditë hipotekare, ku interesi i tyre rezultoi 4.0% nga 3.6% që ishte në tremujorin e mëparshëm dhe 3.7% në vitin 2021. Dy vitet e fundit janë karakterizuar nga një kërkesë e lartë e individëve për kredi për blerje banese , e cila është shoqëruar me kushte të lehtësuara kreditimi.
Tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar një rritje edhe në interesin e kredisë konsumatore. Ky interes rezultoi me një nivel mesatar prej 9.3%, nga 9.1% në tremujorin e parë të vitit.
Por pavarësisht standardeve më të forta, kreditimi në periudhën prill –qershor ka pasur ritme pozitive duke u rritur me 12% ose me rreth 11 miliardë lekë. /abcnews.al