Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Tokio për një vizitë zyrtare katër ditore. Që në takimet e para, presidenti hodhi thumba në adresë të Japonisë për disbalancën tregtare mes dy vendeve. Presidenti u bëri thirrje sipërmarrësve japonezë të investojnë në Amerikë duke thënë se nuk ka moment më të mirë se ky për të bërë biznes me Amerikën.
Sapo mbërriti në Tokio, presidenti mori pjesë në një pritje me biznesmenë amerikanë e japonezë në rezidencën e ambasadorit amerikan. Vizita synon të theksojë lidhjet e forta mes dy vendeve si dhe miqësinë mes Presidentit Donald Trump dhe Kryeministrit Shinzo Abe, megjithëse në këto momente janë acaruar tensionet lidhur me mosmarrëveshjet tregtare.
Analistët thonë se marrëdhënia personale mes dy udhëheqësve është një ndër arsyet përse Japonia nuk e ka ndjerë rëndë goditjen e tarifave që ka vënë në zbatim administrata Trump kundër partnerëve të tjerë tregtarë të Amerikës.
Të hënën Presidenti Trump do të bëhet udhëheqësi i parë botëror që takohet me Perandorin Naruhito, i cili hipi në fron një muaj më parë. /ABC News Albania 24/7