Presidenti Donald Trump i ka dhënë kompetenca të reja prokurorit të përgjithshëm për të zbuluar nëse është përgjuar gjatë fushatës elektorale. Trump ka deklaruar se, nëse dyshimet e tij rezultojnë të vërteta, personat përgjegjës duhet të ndiqen penalisht.
Presidenti Donald Trump ka urdhëruar agjencitë amerikane të inteligjencës që të bashkëpunojnë me hetimin që po zhvillohet për të hedhur dritë nëse ai është përgjuar ilegalisht gjatë fushatës elektorale të vitit 2016.
Procesi hetimor, i cili po udhëhiqet nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Uilliam Berr, aktualisht është i fokusuar tek zbulimi i origjinës së hetimit mbi ndërhyrjen ruse. Kjo ka qenë një kërkesë e vjetër e zotit Trump, që shpesh herë e ka etiketuar çështjen e njohur si “Russia-gate” një “gjueti shtrigash”.
Ditën e enjte, ai shpalli një direktivë që i jep kryeprokurorit Berr kompetenca të reja, përfshirë ato për deklasifikimin e dokumenteve sekrete. Nga ana e tij, sekretari i Drejtësisë është subjekt i një kontrolli të imtësishëm nga demokratët, të cilët e kanë akuzuar se po vepron për llogari të presidentit dhe jo për hir të interesave kombëtare.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdimisht ka deklaruar se fushata e tij është përgjuar ilegalisht dhe ka akuzuar agjencitë e inteligjencës për abuzim me pushtetin. Ai ka thënë gjithashtu se ky veprim mund të konsiderohet “tradhti” dhe ka sugjeruar që personat e përfshirë të ndiqen penalisht./ABC News Albania 24/7