Mbyllen hetimet për “Dosjen 339”

schedule16:00 - 24 Maj, 2019

schedule 16:00 - 24 Maj, 2019

Mbyllen hetime për “Dosjen 339”, ku do të merren 12 të pandehur nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ata akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit kriminal dhe krijimin e grupit kriminal. Ndërkohë vijojnë hetimet për 339/1 për shitblerjen e votave, shpërdorim detyre dhe lejet e ndërtimit.

Pas disa muajsh hetime, Prokuroria për Krime të Rënda ka mbyllur hetimet për “Dosjen 339”. Burime nga organi i akuzës me dije për ABC Neës se prokurorët e çështjes së bujshme po përgatisin konkluzionet përfundimtare dhe do e dërgojnë dosjen në gjykatë. Po i njëjti burim konfirmon se për çështjen e trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit kriminal dhe krijimit të grupit kriminal do të merren të pandehur 12 persona të cilët janë aktualisht të ndaluar në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”.

Për “Dosjen 339 është duke u hetuar grupi i “Avdylajve” ose siç njihen ndryshe të “Fortëve e Shijakut”, ku së fundmi është arrestuar edhe një tjetër person që dyshohet të jetë pjesë e këtij grupi, Mario Zeqiri. Dosja e bujshme që ka shkaktuar shumë debate politike dhe përplasje midis mazhorancës dhe opozitës është e ndarë në dy pjesë. 339 dhe 339/1, ku po hetohet shitblerja e votave, shpërdorimi i detyrës dhe lejet e ndërtimit.

Hetimet për 339/1 vijojnë dhe pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, së bashku me një sërë zyrtarësh të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar. Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që është në dijeni, ndërsa hetimet janë mjaft sekrete, e për këtë nuk bëhen të ditura detaje nga dëshmia e tij.

Burimet kanë konfirmuar se Dako ka mohuar të këtë lidhje me grupin e Avdylajve dhe se është takuar me ta si çdo zgjedhës tjetër. Por në përgjimet e bëra publike më herët në media, numri me 300 në fund, që dyshohet të jetë i kryebashkiakut të Durrësit del që ka shkëmbyer disa mesazhe me Jasin Avdylin, ku ky i fundit i kërkon informacion në lidhje me një operacion të FNSH-së./ABC News Albania 24/7