Thaçi reagon pas deklaratave të Berishës: Relikë e shëmtuar që ushqen hijen e tij

schedule15:34 - 24 Maj, 2019

schedule 15:34 - 24 Maj, 2019

Me anë të një postimi të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të një dite më parë të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Kreu i Shtetit të Kosovës, akuzoi sërish Berishën se i ka shërbyer Millosheviçit duke i shitur armë Serbisë.

Vijon përplasja në distancë mes ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit ka reaguar me një postim të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, ndaj deklaratave të bëra nga Berisha në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, mbrëmjen e së enjtes.

Berisha, foli për përplasjen me Thaçin, duke përsëritur qëndrimin e tij se e konsideron presidentin si një argat të Serbisë, si dhe ka treguar edhe arsyen e ndalimit të Thaçit nga autoritetet shqiptare.

Berisha tha se Thaçin e kishin ndaluar, për ta marrë në pyetje rreth vrasjes së gazetarit Ali Uka, pasi kishte fjetur në të njëjtën dhomë me Thaçin, e në të njëjtën dhomë ishte gjetur i vdekur.

Thaçi nga ana e tij në reagimin në Facebook përsëriti akuzat se Berisha i ka shërbyer Sllobodan Milloshevic, duke i shitur armë Serbisë, në kohën kur Kosova ishte në luftë.

Ndër të tjera ai thotë se ia ka pasur frikën gjithmonë një gjuhe të tillë, për të cilën thotë se tashmë është zhvendosur edhe në disa parti në Kosovë.

Thaçi shprehet se nuk ka asnjë kënaqësi të merret me një relike të shëmtuar – duke iu referuar Berishës – i vetëdijshëm se ky intrigant bën përpjekje dëshpëruese të ushqejë hijen e tij, duke hedhur baltë mbi çdo gjë që konsiderohet si vlerë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare.

“Nuk kam asnjë dyshim se një ndër krimet më të mëdha në rrugëtimin e S.R.B, përveç përpjekjes për puç institucional, shkatërrimin e shtetit dhe demokracisë në Shqipëri, është edhe fakti se ai i shkatërroi edhe kodet e sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare.

Ai punoi tërë jetën duke përçarë kombin dhe vendin. Tiparet e malësorit i humbi duke i shërbyer bllokut në vitet e diktaturës”, vijon më tej reagimi i kreut të shtetit të Kosovës.

Duke iu referuar vetëm me iniciale, Thaçi shton se “S.R.B është ai që solli këtë fatkeqësi të madhe në sofrën tonë dhe infektoi shumë politikanë me fjalorin e tij vulgar, duke u bërë modeli më i keq.

E kam thënë dhe do ta them gjithnjë, se kam dhimbje kur e shoh si ka përfunduar në një gërmadhë morale dhe politike”, shkruan më tej ai.

“S.R.B sot nuk paraqet asgjë tjetër, vetëm një fosil.

“Dua ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se unë kur flasë për S.R.B., nuk e bëj aspak për të pastruar ndonjë hesap personal. Këtë e bëjë vetëm si shërbim të interesit publik, që njerëzit të mos shurdhohen nga kambanat e këtij ndjellësi të fatkeqësive dhe që të gjithë së bashku të reflektojmë për këtë fatkeqësi kombëtare, që shfaqet në formën e shpifjeve, sharjeve dhe sulmeve të ulëta mes shqiptarëve”-përfundon Thaçi. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!