Dita Ndërkombëtare e Rinisë festohet më 12 Gusht të çdo viti, shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 me miratimin e rezolutës 54/120, si një mundësi për të promovuar dhe drejtuar vëmendjen tek çështjet dhe prioritetet rinore në mbarë botën.
Kongresi Rinor Kombëtar (KRK) në kuadër të ‘’Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’’, ka shënuar Ditën Botërore të Rinisë me një seri aktivitetesh të cilat kanë në fokus histori dhe mesazhe rinore, sa të ndryshme aq edhe origjinale.
Gjatë darkës të së Premtes, Kongresi Rinor Kombëtar organizoi projektimin e mesazheve nga vet të rinjtë e Shqipërisë dhe qytetit të Tiranës.
‘’Ndërsa jemi futur në pjesën e dytë të vitit të implementimit të programit Tirana EYC 2022, dëshirojmë të rikujtojmë se historia nuk pushon kurrë së dëshmuari se ka gjithmonë një kohë për rininë! Të gjitha iniciativat e implementuara nga të rinj, organizata, partnerë dhe donatorë, janë në sinergji të plotë. Na pret një kohë për të ndërtuar mbi çfarë po projektohet dhe investohet gjatë gjithë këtij viti,’’ theksoi në mesazhin e saj në kuadër të kësaj dite, Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci.
Tirana EYC 2022 – KRK është duke vijuar punën me aktivitetet dhe programet e shumta për të rinjtë, të cilat janë duke u organizuar çdo ditë të këtij viti.
/Abcnews.al/