Calavera e Soreca i përgjigjen Metës: Reforma në drejtësi është zbatuar sipas Kushtetutës

schedule13:23 - 24 Maj, 2019

schedule 13:23 - 24 Maj, 2019

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genovefa Ruiz Calavera, i janë përgjigjur deklaratave të Presidentit Meta lidhur me zbatimin dhe ndikimin politik mbi reformën në drejtësi.

Mesazhi i Presidentit Meta lidhur me reformën në drejtësi: “Po të ishte sukses nuk do ishim asnjë sekondë pa GJykatë Kushtetuese, reforma bëhet me standarde jo me emra”.

Solli reagimin e misioneve partnere në Shqipëri, ngarkuar me detyrën për asistencë në këtë proces.

Njëri pas tjetrit, ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca dhe kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Geonvefa Ruiz Calavera, përgjigjen e tyre e indirekte ja dhanë institucionit të presidencës shqiptare.

 “Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti.

Kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme”.

Për ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, zbatimi i reformës së votuar në 2016-ën, dispozita kalimtare e së cilës parashikonte ngritjen e këshillave të rinj vetëm 8 muaj pas hyrjes në fuqi, është zbatuar sipas parashikimeve .

“Reforma  e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri me Kushtetutën dhe është e pakthyeshme dhe e një rëndësie të  jashtëzakonisht të madhe. Tranzicionet janë sfiduese, por nuk duhet të harrojmë objektivin që duhet të arrijmë. Reforma në drejtësi është prioritet për çdo politikan shqiptar”.

Deklaratat e ambasadorëve vijnë pas kritikave të forta që presidenti Meta drejtoi në adresë jo vetëm të institucioneve shqiptare sa i përket zbatimit kushtetues dhe ligjor të reformës, por edhe misionit të BE-së, Euralius, i cili sipas presidentit është ndikuar me urdhër politik dhe ka thelluar krizën në vend. /ABC News Albania 24/7