Ditën e djeshme “Piranjat” publikuan një video ku shihej se si një skaf ndodhej pikërisht në të njëjtin vend ku u vra vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avida më 2 gusht.
Pas denoncimit në Abcnews.al, policia e Vlorës në bashkëpunim me shërbimet e komisariatit të Himarës, kanë bërë verifikimin e rastit dhe identifikimin e mjetit lundrues.
Pas verifikimeve, rezultoi se mjeti lundrues, ashtu siç u denoncua edhe nga “Piranjat” ka lëvizur përtej zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Himarës është bërë shoqërimi i mjetit lundrues, në Portin e Himarës.
Në bazë të ligjit nr. 43 të vitit 2020, pronari i këtij mjeti, shtetasi P. P., 49 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masë administrative 200.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë, pasi shtetasi P. P. nuk ka respektuar zonën e kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë.
Theksojmë se në vendin ku janë bërë filmimet është i përcaktuar nga bashkia Himarë, korridori për hyrje-daljet e mjeteve lundruese.
Më 2 gusht, polici Arjan Tase goditi me skafin që drejtonte vogëlushen Jonada Avida, e cila humbi jetën në vendin e ngjarjes nga plagët e marra.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike policia nisi një aksion të gjerë për bllokimin e të gjitha mjeteve lundruese, por me sa duket zhurmnaja ka zgjatur vetëm disa ditë./abcnews.al/