Shkencëtarët: Virusi i ri Langya mund të jetë vetëm “maja e ajsbergut”

schedule10:22 - 12 Gusht, 2022

schedule 10:22 - 12 Gusht, 2022

Sipas shkencëtarëve, virusi i ri i zbuluar në Kinën lindore mund të jetë vetëm maja e ajsbergut, shkruan CNN.

Dhjetra fermerë dhe banorë u infektuan me virusin e quajtur henipavirus Langya,  sipas një ekipi shkencëtarësh që besojnë se ai mund të jetë përhapur drejtpërdrejt ose tërthorazi te njerëzit nga miu hundëgjatë – gjitarë të vegjël që gjenden në një shumëllojshmëri të gjerë habitatesh.

Deri më tani nuk është shënuar asnjë viktimë.

“Ne po e nënvlerësojmë jashtëzakonisht numrin e këtyre rasteve zoonotike në botë, dhe virusi Langya është vetëm maja e ajsbergut,” tha eksperti i ri i viruseve Leo Poon, një profesor në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit të Hong Kongut. i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e fundit.

Hulumtimi i parë shkencor mbi virusin, mori vëmëndjen globale për shkak të shqetësimit për shpërthimin e sëmundjeve. Qindra mijëra raste të reja Covid-19 po raportohen në mbarë botën çdo ditë, gati tre vite që kur u zbulua koronavirusi i ri, raporton abcnews.al.

Të dhënat e para për praninë e një virusi të ri dolën kur një fermer 53-vjeçar kërkoi trajtim në një spital në qytetin Qingdao të provincës Shandong në dhjetor 2018 me simptoma duke përfshirë ethe, dhimbje koke, kollë dhe vjellje.

Ndërsa pacienti tregoi se kishte pasur kontakte me kafshët gjatë muajit të kaluar. Kur u ekzaminuan mostrat e testit të këtij pacienti, shkencëtarët gjetën diçka — një virus që nuk ishte parë kurrë më parë, i lidhur me viruset Hendra dhe Nipah, patogjenë shumë fatalë nga një familje që zakonisht nuk njihet për përhapjen nga njeriu te njeriu.

Gjatë 32 muajve të ardhshëm, studiuesit në të tre spitalet ekzaminuan këtë virus në disa pacientë. Ata më pas zbuluan virusin në 35 njerëz, të cilët kishin një sërë simptomash përfshirë kollën, lodhjen, dhimbjen e kokës dhe të përzierat, përveç temperaturës.

Nëntë nga ata pacientë ishin gjithashtu të infektuar me një virus të njohur, si gripi, kështu që burimi i simptomave të tyre ishte i paqartë, por studiuesit besojnë se simptomat në 26 të tjerët mund të ishin si pasojë e një virusi të ri.

Në nivel global, 70% e sëmundjeve infektive në zhvillim mendohet se kanë kaluar te njerëzit nëpërmjet kontaktit me kafshët, në një fenomen që shkencëtarët thonë se është përshpejtuar, raporton abcnews.al.

Kina ka regjistruar shpërthime të mëdha nga viruset në dy dekadat e fundit, duke përfshirë SARS në 2002-2003 dhe Covid-19 – të dy të zbuluar për herë të parë në vend dhe mendohet se kanë origjinën nga lakuriqët e natës.

Efektet shkatërruese të të dy sëmundjeve – veçanërisht Covid-19 që deri më tani ka shkaktuar më shumë se 6.4 milionë viktima në të gjithë botën demonstrojnë rëndësinë e identifikimit të shpejtë të rasteve të viruseve të reja dhe shpërndarjen e informacioneve.

Por shkencëtarët kanë deklaruar se nevojitet më shumë punë për të kuptuar se si funksionon virusi Langya.

/abcnews.al