“Mos qaj se kjo dihej”, arrestimi i Sokol Bodes për lidhjet me Habilajt, kur mbërriti policia kërkoi vetëm 2 minuta të takohej me familjen

schedule07:45 - 12 Gusht, 2022

schedule 07:45 - 12 Gusht, 2022

Abc mëson detaje të reja nga arrestimi i Sokol Bodes. Ai kishte 4 ditë që ishte kthyer nga Anglia. Në momentin e arrestimi ka kërkuar vetëm 2 minuta kohë që të ndahej me prindërit dhe vëllain me aftësi të veçanta. Mësohet se Bode është kapur në orën 21:25 minuta  dhe është gjetur i shtrirë në divanin e sallonit të tij.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se informacioni për mbërritjen e Bodes në Berat ishte siguruar në rrugë operative.

Ai qëndronte i fshehur në shtëpinë e tij, në lagjen “Uznovë e Madhe” në Berat.

Në drejtim të banesës së tij janë nisur 2 furgona policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Kanë qenë pikërisht forcat operacionale të DVP Berat ata që kanë hyrë në banesën dy katëshe ku jetonte Bode dhe në ndihmë të tyre kanë qenë edhe efektivë të forcave Shqiponja.

Kur forcat e policisë kanë hyrë në banesën e Sokol Bodes, e kanë gjetur të shtrirë në divanin e sallonit të tij dhe mësohet se i shumëkërkuari nuk ka bërë rezistencë.

Pas futjes së policisë në banesë, nëna e Bodes ka shpërthyer në lot ndërsa ai e ka qetësuar duke i thënë “Qetësohu se kjo dihet.”

Lexo edhe: Operacionet për arrestimin e tij u dekonspiruan disa herë, si ra në pranga Sokol Bode, ishte kthyer në Berat nga Anglia

Burimet policore bëjnë me dije se përpara se të hipte në furgonin e policisë, Bode ka kërkuar 2 minuta kohë të ndahej me familjen dhe vëllain e tij me aftësi të kufizuara,që ndodhej në rrugën jashtë banesës.

Ai është shoqëruar në ambijentet e DVP Berat, për veprime të tjera proceduriale, ndërkohë që mësohet se do të transferohet drejt Tiranës.

Kush është Sokol Bode?

Ai ishte dënuar me 8 vjet burg, pasi akuzohet nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi, ka qenë prej kohësh në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt, (ky i fundit i arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge).

Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Akuza që qëndron mbi këta zyrtarë është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sattivës në këtë qark.

Në 3 shkurt 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,  si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Në 10 korrik 2019, gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila pasi nuk ishin gjetur, ndërsa ndau çështjen e tyre nga çështja nga Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish ministrin Tahiri.

/Abcnews.al/