Jordan Daci: Politikanët i pret burgu, kanë frikë reformën

schedule22:30 - 22 Maj, 2019

schedule 22:30 - 22 Maj, 2019

Jordan Daci si shkak të dështimit të reformës në drejtësi shikon klasën politike në vend. Juristi në emisionin “Byro Politike”, është shprehur se klasa politike është në konflikt të pastër interesi me reformën në drejtësi. Më tej ai ka shtuar se nga të dy palët e politikës ka kandidatë të mjaftueshëm që i pret burgu dhe kanë frikë nga reforma.

“Unë e shikoj ndryshe situatën. Në radhë të parë Presidenti i Republikës është kreu i shtetit dhe ka të drejtë të ngrejë shqetësime qoftë edhe të atij karakteri, aq më pak që  është edhe kreu i politikës së jashtme. Tek e fundit raportet tona me BE përveçse raporte partneriteti janë edhe raporte diplomatike të politikës së jashtme që e ka për detyrë ta udhëheqë. Normalisht që shqetësimi mund të lexohet në këndvështrime të ndryshme dhe unë nuk e shoh aspak me çështjen e të përfolurit të vetë Presidentit.  Ai po sillet si President në raport me pozitën. Por unë kam një mendim krejt ndryshe, për një arsyen se unë e shikoj shkakun numër një të gjithë dështimit gjithë klasën politike papërjashtim sot. Klasa politike është ajo që e ka çuar Shqipërinë në këtë situatë. Jo po mos t’i ndajmë blu dhe të kuq kur është fjalë për reformën në drejtësi. E para klasa politike është në konflikt të pastër interesi në raport me reformën në drejtësi, e gjithë klasa. Sepse nga të dy palët pa përjashtim ka kandidatë të mjaftueshëm për burg, që madje duhet të ishin në burg. Mendoj që një nga problemet kryesore të luftës ndaj reformës në drejtësi është edhe frika se do përfundojnë në burg një pjesë”, tha Daci./abcnews.al