Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të vendosin tarifa të reja për produktet kineze me vlerë 300 miliardë dollarë. Sekretari amerikan i Thesarit ka deklaruar se vendimi për këtë lëvizje do të merret pas një muaji. Ndërkohë, gjigandët e biznesit i kanë kërkuar presidentit Trump t’i japë fund luftës tregtare.
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një tjetër rritje të tarifave për 300 miliardë dollarë produkte kineze dhe aktualisht po studiojnë efektet që ajo do të ketë tek konsumatorët. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i Thesarit, Stiven Mnushin, i cili ka theksuar se administrata amerikane ndodhet një muaj larg futjes në fuqi të tarifave të reja. “Nuk do të ketë një vendim për 30 ose 45 ditët e ardhshme”, ka thënë Mnushin në një seancë përpara ligjvënësve amerikanë.
Më herët gjatë muajit, Uashingtoni rriti tarifat ekzistuese për 200 miliardë dollarë mallra kineze, duke detyruar Pekinin të reagojë, në një kohë kur bisedimet mes dy ekonomive më të mëdha në botë për të tejkaluar problemet kishin hyrë në ngërç.
Vetë presidenti Donald Trump, i cili ka përqafuar politikën e proteksionizmit në bazë të agjendës së tij “Amerika e Para”, ka kërcënuar disa herë se do të rrisë tarifat deri në 25 për qind për një tjetër listë produktesh kineze të importuara, vlera e të cilave arrin në 300 miliardë. Ndërkohë, gjigandët amerikanë të këpucëve dhe atleteve sportive i kanë bërë thirrje presidentit Donald Trump që t’i japë fund luftës tregtare me Kinën, duke paralajmëruar se ajo do të ketë pasoja katastrofike për konsumatorët. Në një letër të firmosur nga 173 kompani, përfshirë prestigjiozet “Najk” dhe “Adidas” thuhet se rritja e tarifave për importet do të prekë klasën punëtore dhe do të dëmtojë bizneset në të ardhmen./ABC News Albania 24/7