Fotografoi 1 copë sallami dhe tha se është marrë nga Teleskopi Hapësinor, drejtori i CEA bën gafën virale

schedule10:53 - 6 Gusht, 2022

schedule 10:53 - 6 Gusht, 2022

Etienne Klein, drejtor i kërkimit në Komisionin Francez të Energjisë Atomike (CEA), vendosi të bënte një shaka epike . Ai postoi në Twitter foton e një fete sallami në një sfond të zi.

Për ta bërë të besueshme postimin e tij në Twitter, ai sqaroi se imazhi është marrë nga teleskopi hapësinor James Webb. Madje, ka nënvizuar nivelin e detajeve të fotografisë, duke shkruar se “një botë e re zbulohet dita-ditës”.

Konkretisht, Klein shkroi: “Fotografia e Proxima Centauri, ylli më i afërt me Diellin, i vendosur në një distancë prej 4.2 vite dritë. Shkarkuar nga JWST. Ky nivel detajesh… Një botë e re zbulohet dita-ditës”.

Ky postim shkaktoi shumë bujë në internet. Tweet-i i tij u bë viral dhe u komentua mijëra herë. Pati 1,344 retweet dhe 10,000 pëlqime, ndërsa një nga gazetarët kryesorë të BFM tha se ishte në ekstazë!

I përballur me bujën që kishte marrë shakaja e tij, Klein u kthye dhe zbuloi se ishte një mashtrim shkencor dhe u bëri thirrje përdoruesve të rrjetit që të kenë kujdes me imazhet që qarkullojnë në rrjetet sociale.

“Ndihem i detyruar të theksoj se ky postim në Twitter që tregon një foto të pretenduar të Proxima Centaurit ishte thjesht një formë argëtimi. Le të mësojmë të jemi të kujdesshëm ndaj argumenteve të autoritetit, si dhe elokuencës spontane të imazheve të caktuara…”, shkroi ai nën postimin e tij origjinal në Twitter./abcnews.al