Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh sot për të shqyrtuar dhe miratuar disa vendime të rëndësishme në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik në Shqipëri.
Si fillim anëtarët e KE-së diskutuan propozimin për rregulloret e kompeticioneve që organizon FSHF për sezonin 2022/2023 e më konkretisht kampionatet Abissnet Superiore, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë, Kategoria Superiore U-21, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë për moshat U-13, U-14, U-15, U-17 dhe U-19. Pas diskutimeve rregulloret e reja për këto kampionate janë miratuar, ashtu si manualin e delegatit, një dokument themelor mbi organizimin e garave futbollistike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky dokument është përgatitur nga Departamenti i Garave në FSHF në kuadër të synimeve për të përmirësuar gjithmonë e më shumë organizimin në të mirë të ndeshjeve në vend.
Në kuadër të politikave të futbollit për nxitjen e aktivizimit të lojtarëve të rinj dhe promovimit të tyre në ekipet profesioniste, Komisioni i Posaçëm i Përkohshëm për “Reformimin e Rregulloreve te Federatës Shqiptare te Futbollit” në bashkëpunim me Departamentin e Garave të FSHF propozoi krijimin e një sistemi incentivimi financiar për klubet e Kategorisë së Parë për lojtarët e grup-moshës 16-21 vjeç. Ky propozim u miratua unanimisht dhe besohet që do të ketë një impakt të rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimit të lojtarëve të rinj, duke e kthyer Kategorinë e Parë në një vitrinë të rëndësishme për elementët e spikatur.
Propozimi i Sekretariatit të përgjithshëm dhe Deptartamentit të Garave për strukturën e kampionateve kombëtare të Kategorisë Superiore dhe të Parë për moshat U-13, U-14, U-15, U-17 dhe U-19 u kthye për miratim nga Komisioni i Licencimit. Strategjia e Federatës Shqiptare të Futbollit parashikon që në kampionatet kombëtare të marrin pjesë klubet profesioniste dhe akademi të cilat licencohen si profesioniste duke plotësuar të gjitha kriteret e parashikuara në drejtimin sportiv, infrastrukturor dhe organizativ.
Sakaq, Komitetit Ekzekutiv miratoi gjithashtu disa investime të rëndësishme infrastrukturore në disa zona të vendit. Sipas këtij vendimi do të mbështetet financiarisht ndërtimi i 3 fushave me bar artificial në Kompleksin Zmijani në qytetin e Shkodrës, pajisja me sistem ndriçimi i aneksit të parë të kompleksit Apolonia pas përfundimit të investimit të njëllojtë në aneksin e dytë, i cili është financuar gjithashtu nga FSHF. Janë miratuar disa shtesa investimesh në stadiumin e ri të Partizanit dhe atë të Kukësit, të cilat nuk ishin parashikuar në projektin paraprak.
Komiteti Ekzekutiv u informua nga komisioni i ekspertëve në lidhje me procesin e shitjes së të drejtës televizive të kampionatit Abissnet Superiore, Kupës së Shqipërisë, Superkupës së Shqipërisë dhe Kategorisë së Parë për territorin e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Pas informacionit të detajuar që u përcoll nga Komisioni, KE i ngarkoi detyra për hapat e mëtejshëm që duhet të ndiqen për finalizimin e procesit./ fshf.org