Shqipëria u trondit sërish ditën e sotme, pasi një familje e cila kishte zgjedhur jugun e Shqipërisë për të pushuar ka përjetuar një tragjedi, pasi vajza e tyre 7-vjeçe ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi është përplasur nga një skaf në breg të detit.
Kjo e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje, pasi ai i cili paguhet me taksat e shqiptarëve për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, jo vetëm në tokë, por në çdo centimetër të territorit të Shqipërisë, shkel çdo rregull dhe ligj të shtetit shqiptar dhe kërkon të bëjë cirk në breg të detit duke i marrë jetën një vajze të pafajshme e cila ishte duke luajtur me dallgët.
Duhet theksuar se bazuar në rregulloren e vendosur nga vetë Policia e Shtetit, asnjë mjet lundrues nuk lejohet të lëvizë në afërsi të bregut të detit, aty ku lahen pushuesit.
Ngjarja e sotme tregoi edhe njëherë se sa e pasigurtë është jeta në Shqipëri, pasi sot nuk duhet të ruhemi vetëm nga kriminelët, lacat, të papërgjegjshmit që lëvizin rrugëve të Tiranës, por edhe nga ata që paguhen nga taksat tona për të na ruajtur ne, efektivët e Policisë së Shtetit.
Kjo nuk është vrasja e parë që policët vrasin në mes të ditës, por është hera e parë që ata vrasin edhe në det jo vetëm në tokë.
Në 8 dhjetor të vitit 2020 efektivi i policisë në detyrë Nevaldo Hajdaraj i merr jetën të riut Klodian Rasha, vetëm pse ky i fundit kishte dalë të pinte një cigare jashtë mureve të shtëpisë, pasi në atë periudhë nuk lejohej lëvizja e qytetarëve pas orës 23:00 të mbrëmjes për shkak të masave anti-Covid.
Një ngjarje e cila fillimisht u shit nga policia si përplasje me armë mes vrasësit me uniformë dhe qytetarit, pasi në vendngjarje u gjet dhe një armë tjetër, por që më vonë u vërtetua që nuk i përkiste viktimës.
Një tjetër ngjarje e rëndë do të ndodhte sërish në Tiranë vetëm 1 vit më vonë pas vrasjes së Klodian Rashës.
Në 14 dhjetor të vitit 2021 në një supoermarket në Sauk, efektivi i policisë Arbër Sula vret me armën e shërbimit (Edhe pse nuk ishte në detyrë, pasi shërbente në Komisariatin e Dibrës), Jurgen Dukën, vetëm pse ky i fundit nuk i liroi radhën për të paguar.
Policia vrasëse apo ruajtëse e jetës së qytetarëve
Ngjarja e ditës së sotme tregoi edhe njëherë se brenda Policisë së Shtetit nuk punojnë vetëm ata që ditën punojnë për të marrë taksat e qytetarëve dhe natën i shërbejnë krimit, por edhe njerëz të papërgjegjshëm, të cilët tashmë “pushtetin” e tyre nuk e shfrytëzojnë për t’i shërbyer shqiptarëve por për t’i vrarë ata.
Pas ngjarjes së sotme Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, përjashtoi nga radhët e policisë Komisarin Arjan Tase, po a mjafton vetëm kaq për të reformuar Policinë, dhe për të larguar nga ky institucion njerëz që nuk meritojnë jo vetëm të quhen policë, por që sot duhet të jenë pas hekurave?
Me të drejtë qytetarët shqiptarë pas ditës së sotme kanë të drejtë të pyesin, po tani ku duhet të rrinë që mos i vrasë policia, pasi vrasësit me uniformë nuk janë më vetëm në rrugë, por edhe në det.
/Taulant Halili/Abcnews.al/