Nga kryeqendra e veriut Shkodra kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi sërish vendosmërinë e opozitës për të mos bashkëpunuar me kryeministrin Rama në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Opozita sipas tij është e vendosur në aksionin e saj për largimin Ramës dhe krijimin e qeverisë tranzitore që i hap rrugën zgjedhjeve vendore. Në inaugurimin e memorialit të viktimave të komunizmit në qytetin e Shkodrës. Lulzim Basha pranoi “fajin” duke thënë se PD-ja po aq sa ka meritë, aq ka edhe përgjegjësi për shlyerjen e borxhit, jo vetëm financiar, të të përndjekurve politik.
“Jam këtu me vetëdijen e plotë të peshës dhe përgjegjësisë që kam unë dhe partia ime. I vetëdijshëm që gjithçka që është arritur në raport me borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes kombëtare, morale, ndaj të përndjekurve politikë, familjarëve dhe pasardhësve të tyre, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike. Nuk mund ta kërkoni dhe as nuk dua ta kërkoni askund tjetër. Përgjegjësia është e jona. Ndjesa e thellë për gjithçka që nuk është arritur, është e jona”, tha Basha.
Basha u zotua se ai dhe PD, janë të vendosur për ta çuar ligjin për ish-të përndjekurit në shinat e Kushtetutës./ABC News Albania 24/7