Një jaht rreth 21 metra i gjatë ka përfunduar në shkëmbinjtë e Porto Cervo. Si pasojë e përplasjes një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.
Mediet italiane bëjnë me dije se viktima është një 60-vjeçar me shtetësi të huaj dhe dyshohet se është pronari i jahtit. Ai u gjet me shenja jete nga forcat e rojës bregdetare të Olbias dhe Porto Cervos, por vdiq menjëherë pas shpëtimit.
Në bord ishin gjithsej 7 persona.
Gjashtë të plagosurit u dërguan në spital dhe 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:40 të mbrëmjes së djeshme teksa grupi po lundronte përballë ishujve Li Nibani.
Dyshohet se përplasja mund të jetë shkaktuar nga manovra e papritur e kapitenit të jahtit për të shmangur përplasjen me një tjetër varkë.
Jahti 21 metra është gjysmë i zhytur dhe pritet ndërhyrja e rimorkios për ta tërhequr./Abcnews.al/