Në 7 muaj 24 vrasje: 27 viktima, asnjë autor për atentatet mafioze që tronditën Shqipërinë

schedule15:07 - 31 Korrik, 2022

schedule 15:07 - 31 Korrik, 2022

Në 7 muajt e parë të këtij viti, në vendin tonë kanë ndodhur në total 24 vrasje që kanë shkaktuar 27 viktima.

5 prej tyre krime në familje, të tjerat vrasje për motive të dobëta dhe atentate mafioze.

Referuar të dhënave, 13 ngjarje janë zbardhur autorë të të cilave janë arrestuar e të shpallur në kërkim, ndërsa 11 të tjerat vijojnë të jenë pa autorë, e kryesisht vrasjet e tipit mafiozë.

Numrin më të lartë të kriminalitetit, gjatë këtyre 7 muajve e mban Shkodra. Nga Janari deri më tani në këtë qark kanë ndodhur 6 vrasje. Pasohet nga Fieri me 5 ngjarje dhe 4 në Tiranë, e më pak vrasje në qarqet e tjera të vendit.

Vrasjet e tipit mafioz vijojnë të mbeten të pazbardhura në vendin tonë. Më 4 Janar u vra Erion Çela teksa ishte së bashku me të afërmit e tij në një lokal në zonën e Don Boskos. Ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje, ku 4 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Nuk do të kalonte shumë kur 3 muaj më pas Iljaz Çali u vra në autostradën Tiranë-Durrës, teksa lëvizte me mjetin e tij.

Në Shkodër, Nazmi Bandulla u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar që lëviznin me një makinë tip Benz.

Gjatë dy muajve të fundit, në Qershor dhe Korrik, ngjarjet kriminale kulmuan me vendosjen e tritolit ne automjetin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në Tiranë, ekzekutimin në Fushë-Krujë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës, si dhe vrasjen e Klisman Preçit në Milot.

Për të gjitha këto krime, policia nuk ka asnjë të dyshuar./Abcnews.al/