Mbetet mister zhdukja e 49 arkave me banane brenda të cilave dyshohet të ketë pasur kokainë. Kontejneri i ardhur nga Ekuadori rezultoi pa plumbçe dhe në mungesë të një pjese të ngarkesës.
Punonjësit e sigurisë dhe konkretisht ata të monitorimit të kamerave në sallën operative do të lirohen nga burgu. Kështu, për Gentian Halilin, Rajd Bletën, Gjergji Doracin, Shefqet Elezin, Profit Tilën dhe Skënder Plakun sot prokurori Afrim Shehu ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitjeje.
Gjithashtu edhe për dy punonjësit e kompanisë Ziko shpk, Altin Muhametaj, Mazmi Allgjata është zëvendësuar masa e sigurisë nga arrest në burg, në detyrim paraqitjeje.
Kujtojmë se pas përfundimit të këqyrjes së 195 orëve pamje filmike të marra në Portin e Durrësit, grupi që punoi për të kontrolluar filmimet nuk ka arritur që të zbulojë persona që mund t’i jenë afruar kontejnerit me banane që ishte dëmtuar.
Nga pamjet vërehet se grupi i AKU-së nuk e ka verifikuar ne terren fizikisht kontejnerin, duke e bërë procesverbalin nga distanca. Në këto kushte, grupi hetimor dyshon se kontejneri mund të jetë hapur në porte të tjera ku ka qëndruar ose në anijen që e transportonte. Gioa Tauro është port i parafundit para mbërritjes në Durrës.
Lexo edhe: “50 arka minus në kontejnerin me banane”, Gjykata merr vendimin për 20 të arrestuarit
Burime nga grupi hetimor thanë se kontejneri para se të kalonte në skaner ishte vendosur në një zonë, që kamerat e sigurisë nuk kanë fushëpamje. ABC ka siguruar dosjen e prokurorisë ku bëhet e ditur se kontejneri me banane ka mbërritur në Durrës në datën 8 korrik.
Në 16 korrik kur do të zhdoganohej, ai u gjet i paplumbosur. Më pas task-forca kontrolloi dokumentacionin e kompanisë porositëse ZICO sh.p.k dhe rezultoi se duhet të ishin 1200 kuti.
Kur hynë në brendësi të kontejneri zbuluan se aty ndodheshin 1.151 kuti me banane. 49 mungonin, ndaj lindën dyshime të arsyeshme se kontejneri është hapur dhe në ato kuti mund të ketë pasur lëndë narkotike e dyshuar kokainë. /abcnews.al/