Ditën e djeshme, Autoriteti i Dosjeve njoftoi përmes faqes së tij në Facebook mbi “një politikan me profil të lartë, me inicialet I.M që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.”
Ish-anëtari i Autoritetit të Dosjeve, Simon Mirakaj i ftuar në studion e “Radari Informativ” në Abc u shpreh se Autoriteti i Dosjeve ka marrë vetëm një kërkesë për Ilir Metën, në kohën kur ai u propozua për President nga Kuvendi.
Pjesë nga diskutimi:
Mirakaj: Nuk është kërkesë. Edhe kjo nuk është për zotin Meta. ne kemi marrë vetëm një kërkesë, kur është propozuar për President nga Kuvendi dhe i është kthyer përgjigje në bazë të ligjit.
Xhokaxhi: Verifikimet që bënin Komisionet Mezini dhe Bezhani a janë 100% të sigurta? Verifikimi bëhej i plotë apo i pjesshëm?
Mirakaj: Unë nuk i paragjykoj. Ne në rastet kur personat kanë marrë përgjigje nga komisionet përkatëse, ne nuk na lejon ligji të bëjmë verifikime për këta persona.
Xhokaxhi: Autoritet i Dosjeve në kërkesën që i ka bërë parlamentit shprehet se ne kërkojmë ndryshime në ligj që të bëjmë kërkime edhe në rastin kur kanë certifikatë pastërtie sepse mund të dalin raste të tjera.
Mirakaj: Unë nuk jam që të ndryshojë ligji, sepse ata kanë qenë njerëz seriozë jo njerëz rruge. Qoftë të Komisionit “Mezini”, qoftë të Komisionit “Bezhani”.
Xhokaxhi: Në media u aludua se Sali Berisha në bashkëpunim me Ramiz Alinë kanë zhdukur dosje për personazhe të caktuar. Mund të ketë manipulim apo falsifikim të dosjeve që janë aktualisht. Sa e mundur është kjo?
Mirakaj: Ne jemi njerëz që hamendësojmë pa iu referuar një dokumenti zyrtar. Unë nuk i besoj thashethemeve. Ka ambicie, xhelozi për drejtuesit e institucioneve. Njeriu duhet të jetë në rregull me ndërgjegjen e vet.
Xhokaxhi: Po nëse digjen fletë të caktuara a lihen gjurmë?
Mirakaj: Asgjësimi është bërë. Kjo puna e bashkëpunëtorëve, duke qenë se e njoh mirë sigurimin e shtetit, verifikimi për bashkëpunëtorët duhet të bëhet vetëm për pjesën politike, jo për pjesën e thjeshtë. Askush nuk mund ta imagjinojë, vetëm ata që e kanë jetuar atë sistem, e dinë se çfarë torturash janë bërë për ta krijuar një bashkëpunëtor të sigurimit. Ne kemi gjetur dokumente ku thotë që janë bërë me dhunë. Është një punë delikate, por për pjesën aktive në politikë është mirë që të bëhet verifikimi.
Xhokaxhi: Pse mendoni që doli tani e gjithë kjo? Pas largimit të Metës si President?
Mirakaj: Zoti Meta 4 ditë ka që ka dalë nga Presidenca dhe ka dalë në opozitë me deklarata kundër qeverisë. Bashkëpunimi dhe me PD-në e rrezikon pak atë pozicionin e qeverisë së re. Them mund të jetë ky shkak për gjithë këtë zhurmë që u bë. Nuk bëhet fjalë për ish-Presidentin. Po dhe ju jap numrin e protokollit 1365 datë 14.09.2021 mund të shkoni ta verifikoni. /Abcnews.al/