Autoriteti i Dosjeve ka publikuar sot në faqen e tij një mori vendimesh të marra në maj të këtij viti, ku mes të cilave janë kërkesa nga institucionet për të verifikuar funksionarë të administratës që do të marrin detyra të caktuara në institucionet shtetërore, por edhe nga individë të thjeshtë, të cilët janë interesuar se çfarë mund të ketë në dosjet e sigurimit në emrin e tyre.
Dokumenti i publikuar nga Autoriteti i Dosjeve është 66 faqe i gjithi dhe aty janë kryesisht vendime të marra në maj 2022. Mes këtyre vendimeve është edhe një shkresë e Autoritetit të Dosjeve, drejtuar një shtetasi me inicialet I.M, i cili në 19 shtator 2019 kishte bërë një kërkesë drejtuar këtij autoriteti në lidhje me dokumentet që gjendeshin në emër të tij në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Lexo edhe: REGJISTRI/ Tre”I.M” dhe një tjetër Ilir Metaj në klasën e ish-Presidentit, si iu përgjigj akuzave
Sipas vendimit të Autoritetit, që mban firmën e Gentiana Sulës, Simon Mirakajt dhe Altin Hoxhës, administrata e këtij institucioni duhet të informojë shtetasin I.M, sipas kërkesës së bërë nga ana e tij, që në emrin e tij ndodhen 140 faqe dokumente dhe një dosje e hapur në emër të tij me numrin 1365. Po ashtu, pika nr.2 e vendimit cakton se shtetasit në fjalë i duhet dorëzuar kjo dosje në formatin e printuar si edhe në një CD.
Pas publikimit të këtij vendimi u përfol se shtetasi I.M ishte Ilir Meta. Por, kjo u mohua kategorikisht nga Sekretarja e Partisë së Lirisë për Marrëdhëniet me Publikun, e cila tha se vetë Ilir Meta nuk ka bërë një kërkesë ndaj Autoritetit të Dosjeve për të zbuluar nëse kishte dosje në emër të tij. Po ashtu, Caka theksoi se nuk ka ndonjë komunikim mes Autoritetit të Dosjeve dhe Ilir Metës që të rrjedhë nga vendimi i datës 17 maj të Autoritetit të Dosjeve, përmes të cilit Meta të merrte në dorë një kopje fizike dhe në CD të dosjeve në fjalë.
Caka kërkoi nga Autoriteti i Dosjeve që të zbulojnë se kush është shtetasi I.M që përmendet në vendimin në fjalë.
Nisur nga situata e krijuar duket se i përket Autoritetit të Dosjeve që të qartësojë opinionin publik në lidhje me këtë shkresë duke treguar se kush është personi “I.M” që ka bërë një kërkesë në drejtim të Autoritetit për dosjet që mund të ekzistonin në emrin e tij. /abcnews.al