Dy shqiptarë janë vënë në pranga në Britaninë e Madhe pasi u kapën në një “fermë kanabisi” në Bradford. 31-vjeçari Aurel Hoxha dhe 22-vjeçari Kledvin Palushi u gjetën të dy në një laborator ku rriteshin bimët narkotike pasi policia u fut me dhunë në godinën pas marrjes së një denoncimi.
Në ambientet e përshtatura u gjetën 57 bimë kanabisi. Pas arrestimit, dy të rinjve policia u sekuestroi edhe celularët ku edhe gjetën një sërë kontaktesh dhe video në të cilat ishin filmuar bimë kanabisi.
Provat tregojnë se 31-vjeçari Hoxha ishte i përfshirë në operacione të ngjashme kanabisi në vendndodhje të tjera përgjatë veriut të Anglisë.
Pas marrjes në pyetje, autoritetet morën vesh po ashtu se Palushi është futur në Britaninë e Madhe ilegalisht me kamion. Më pas, për të paguar borxhin që kishte tek ata që e sollën në Angli, ai si shumë të tjerë nisi të punojë në shtëpi bari.
Sipas raportimeve, Hoxha u dënua me 22 muaj burg kurse Palushi me katër muaj. /abcnews.al/