Kryetari i Komitetit Organizativ të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thënë në një konferencë për mediat se drejtori i Doganavë, Gent Gazheli, duhet të largohet nga ky post.
Meta tha se situata në doganat shqiptare është dramatike. Sipas tij, shtetit i humbasin 80% të të ardhurave nga zhdoganimet , teksa i bëri thirrje Ramës që ta heqë urgjentisht Gazhelin, që e cilësoi “arkëtar të partisë”.
“Mjafton të kemi në konsideratë që vetëm gjatë periudhës së pandemisë, rritjes së çmimeve për shkak të kleptokracisë, qytetarët shqiptarë nuk u mbështetën aspak nga qeveria e tyre. Kemi qenë qeveria me mbështetjen më të paktë ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Gjithë barra e rëndë e këtyre krizave, si e pandemisë dhe krizës së çmimeve është paguar nga familjet e thjeshta shqiptare.
Ndërkohë, ajo që është edhe më e qartë, qeveria paguan ende me dhjetra milionë euro për inceneratorët, për tenderat me 10 fishin e çmimit BE-së. Vazhdon të marrë borxhe për të mbështetur oligarkët me të cilët është lidhur. Kjo situatë e rëndë që ka kapluar vendin tonë, provohet edhe nga skandalet më të fundit.
Siç janë doganat shqiptare. Ku situata paraqitet edhe më dramatike. Drejtimi i doganave nga kontrabandistë që do të luftojnë gjoja kontrabandën, nepotizmi falgrant në administratën e këtij sektori, me familjarët dhe të afërt, konflikt i hapur interesi si dhe abuzimet ne të ardhurat shtetërore, ku sipas raportimeve, në zhdoganime, shtetit i humbasin deri në 80% të të ardhurave, tregon që çdo sektor i qeverisjes është kthyer në grabitje të arkës së buxhetit të shtetit. Dua ti bëj thirrje Edi Ramës të heqë urgjent arkëtarin e partisë nga Doganat dhe të heqë gjithë bandën e patronazhistëve nga Doganat dhe Tatimet”, tha Meta. /abcnews.al