Në vitet 1977-1978 ka punuar në tunelet e Porto Palermos, sot kthehet si turist. Pasi vizitoi e kalanë që Ali Pashë Tepelena ndërtoi për Vasiliqinë shpreh keqardhje, që zona nuk është mirëmbajtur.
“Kam punuar këtu si motokompresorist tek tuneli i Porto Palermos, bëhej një punë e madhe e vështirë, kishim edhe 7 specialistë kinezë këtu, por tani ka ndryshuar shumë, gjithë zona. Kalaja mbahej më mirë kur ishim ne këtu, më pastër më e mire. Më vjen keq që e shoh gjithë pyllin të djegur, këtu ishte gjithçka jeshile, ishte një mrekulli me përpara.”
Një prej miqve të tij italianë, që e viziton vendin tonë dhe këtë kështjellë për herë të parë jep një këshillë.
“Duhet të ndryshojë mentaliteti i njerëzve që jetojnë këtu, sepse jashtë pronës së tyre, jashtë ambjentit të tyre nuk u intereson asgjë. Ka mbeturina kudo. Njerëzit këtu duhet të mësojnë të mbajnë pastër edhe atë që nuk është territori i tyre. Duhet të mësojnë të bëjnë si Italia.”
Kjo vajzë është nga Shqipëria, por u largua me familjen drejt Italisë kur ishte 3 vjeç. E ka më të lehtë të tregojë përshtypjet e saj në gjuhën italiane.
“Erdhëm nga deti, parkuam makinë dhe ecëm për të vizituar kështjellën e cila ishte e mrekullueshme. Natyra, peisazhi dhe deti që duket poshtë kalasë janë të mrekullueshme. Po çmimet janë pak të larta.”
Miku i saj italian, çmimet për standartet e tij nuk i konsideron të larta, por ka rezerva për infrastrukturën.
“Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Çmimet janë optimale, për ne që vijmë nga Italia është në rregull, sepse në Itali nuk I gjen këto bukuri natyrore. Nëse do kishte më shumë autostrada që do lidhnin qytetet do të shihnim më shumë vende. Kjo zonë më pëlqeu shumë. Kur të kthehem në Itali do t’ju tregojmë miqve sa bukur është këtu që të vijnë ta vizitojnë.”
Të hysh në këtë kështjellë duhet të paguash 300 lekë, ndaj kush ka mundësi ekonomike ka shans ta vizitojë. Gjatë muajit korrik, kështjellë e vizitojnë rreth 100 turistë në ditë, kryesisht të huaj. Kështjella që gëzon statusin e monumentit të kulturës u ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si dhuratë për gruan e tij Vasiliqinë. /abcnews.al/