Të shtëna me armë zjarri raportohen në Vlorë. Siç raporton gazetari Elton Nikaj, ngjarja ka ndodhur këtë mësditë në zonën e “Ujit të Ftohtë”, në afërsi të vilave qeveritare.
Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak është bërë një konflikt banal. Një person ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në ajër, pas sherrit për parkimin e makinës.
Forca të shumta policore kanë mbërritur, ndërkohë qe autori është larguar më shpejtësi. Policia sqaron se ka ngritur pika kontrolli dhe po punon për kapjen e autorit, i cili është identifikuar. Ndërkaq, është ndaluar një person që ka dijeni.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:00, në afërsi të tunelit në “Uji të Ftohtë”, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se një shtetas, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Nga verifikimet e bëra nga shërbimet e Policisë, nuk ka persona të dëmtuar.
Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit i cili është identifikuar nga Policia menjëherë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.
g.v/abcnews.al