Informacionet për sulme të mundshme terroriste, shtyhet samiti i muxhahedinëve në Manzë me rekomandim të qeverisë shqiptare

schedule16:46 - 22 Korrik, 2022

schedule 16:46 - 22 Korrik, 2022

Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3”, është shtyrë. Njoftimin e bën Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, ndërsa shtohet se Samiti do të jetë i shtyrë deri në një moment të dytë me rekomandim të qeverisë shqiptare për arsye sigurie nga kërcënime terroriste.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se Samiti botëror i Iranit të lirë që do të mbahej në zonën e Manzës në Durrës, në kampin “Ashraf 3”, ku gjendet i strehuar një numër i lartë pjesëtarësh të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), mund të ishte objekt kërcënimesh.

Në një njoftim, Ambasada bënte të ditur se “qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”.

Ndërkohë, qytetarët amerikanë u udhëzuan që ta shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat.

Ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka ushtruar kontrolle në banesat e disa prej ish anëtarë të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme të gjetura në to. Kontrollet mendohet se janë kryer në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti të mundshëm spiunazhi të kamufluar nën aktivitetin e një shoqate që propagandonte se synonte bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Deri më tani nuk është njoftuar zyrtarisht ndalimi i asnjë personi.

Dy vjet më parë një iranian me nënshtetësi italiane, Dabiel Kassrae, u dëbua nga Shqipëria drejt Italisë, pas një urdhri të firmosur nga ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj, përmes të cilit ai deklarohej “person i padëshiruar”, për një periudhë 15 vjeçare. Kassrae, i cili jetonte në Shqipëri, prej afro katër vitesh, dyshohej të kishte punuar për llogari të regjimit të Iranit, duke tentuar të rekrutojë anëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq , që jetonin në kampin Ashraf.

Kampi Ashraf në Manzë u vizitua 1 muaj më parë nga ish-zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ndërsa më herët, në muajin maj, edhe nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit gjatë presidencës Trump, Mike Pompeo. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!