Kryeministri Rama në një prononcim për mediet ka folur për sulmin kibernetik nën të cilin ndodhet Shqipëria prej disa ditësh. Teksa theksoi se AKSHI ka qenë në “luftë” ditë e natë për të rikthyer shërbimet, kryeministri deklaroi se janë dy shtet të dyshuara si agresorë të sulmit, por nuk kanë ende prova.
Rama: Kemi punuar, ose më saktë skuadra e AKSHI-t ka punuar natë dhe ditë dhe do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp kur gjithçka të ketë përfunduar. Ajo që dua të nënvizoj është se së pari sulmi nuk është një sulm i organizuar nga hackera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh herë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë të mëdha dhe të fuqishme për të vendosur gjoba të majme. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet. Nuk kemi ende provat për të përcaktuar 1 prej 2 shteteve të dyshuara. Kjo është pjesa delikate e investigimit.
Cilat janë dy shtete?
Rama: Nuk dua të spekuloj sepse kjo është shumë serioze. Në momentin që do kemi provat do marrim aksione konkrete të natyrës diplomatike ndaj cilitdo prej këtyre shteteve që është autori i këtij agresioni kriminal kundrejt Shqipërisë. Më lejoni të jen i rezervuar. Kemi qenë realisht në një luftë me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët të gjitha sistemet tona në hapësirën virtuale.
Cilat do jenë hapat?
Rama: Në ato shtete nuk ka vend për të arsyetuar në mënyrë logjike që buron nga ligjet ndërkombëtare. Janë shtete që nuk duan të dinë për ligjin ndërkombëtare, por nga ana tjetër ne do na duhet të marrim hapat tanë. Pavarësisht se janë dy shtete jo miqësore me Shqipërinë, nuk duam t’i marrim nëpër gojë. Ky sulm shumë i fortë kibernetik ka treguar forcën e sistemit tonë. Është një sulm që ndodh edhe në SHBA, jo më në Shqipëri. Këto janë detaje, nuk dua të bëjë ekspertin kibernetik, do t’i diskutoni me skuadrën që po përfundon Brenda kësaj fundjave të gjithë risistemimin pas bombardimit./Abcnews.al