Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj ditën e sotme është paraqitur në SPAK. I pyetur nga gazetarët për arsyen, Frrokaj ka deklaruar se “ka shkuar për punët e tij.”
Nuk dihet arsyeja pse kryebashkiaku është thirrur sot në SPAK.
Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj është dënuar me katër vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa më pas gjykata vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë.
Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Ndërsa në mars të 2022 Gjykata e Lartë ka rikthyer në Apelin e Shkodrës çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila pranoi rekursin që kishte bërë Prokuroria e Apelit dhe vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Në vendimin e siguruar nga ABC thuhet se gjykata e Lezhës nuk e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke argumentuar se nga disa të pandehur janë parashtruar pretendime mbi vlefshmërinë dhe përdorueshmërinë e akteve dhe fuqisë provuese të tyre.
/Abcnews.al/