Sondazhet, Dritan Hila: Opozita nuk ia ka dalë të galvanizojë elektoratin gri

schedule20:43 - 14 Maj, 2019

schedule 20:43 - 14 Maj, 2019

Që prej ditës kur deputetët dogjën mandatet opozita ka qenë në protesta. Mirëpo me anë të tyre, sipas gazetarit Dritan Hila, opozita ka arritur vetëm të mobilizojë mbështetësit e saj. I ftuar në emisionin “Provokacija” nga Mustafa Nano, Hila theksoi se pavarësisht se sondazhet kanë dhënë një lloj epërsie, Partia Demokratike nuk e kalon PS-në.

“Protesta ia ka dalë që të galvanizojë që të mobilizojë mbështetësit e opozitës. Edhe nga sondazhet e hapura dhe të fshehta e kemi parë që mbështetësit e opozitës janë rritur nga 350 mijë në 450 mijë. Nuk mendoj që ia ka dalë të galvanizojë edhe elektoratin gri, i cili në një farë mënyre vendos agën, shigjetën e balancës dhe nuk është demoralizuar elektorati i PS që vazhdon dhe qëndron në kuota 700 e ca mijë vota. Ne e dimë që pushteti bie kur ai që qeveris nuk ka më vullnetin që të mbajë pushtetin dhe ndjekësit e tij janë të demoralizuar. Këtë nuk e shoh akoma te PS dhe duke qenë se është ende partia më e madhe ka një lloj sigurie nëse shkon në zgjedhje. Të gjitha sondazhet pavarësisht se japin një lloj epërsie të opozitës nuk arrijnë të kalojnë në diferencë me PS-në në atë marzhin e gabimit që ka çdo sondazh. Edhe në 2017 me të tillë marzh gabimi Rama mori 74 deputetë”, tha Hila.

Mosgjetja e një zgjidhje të kësaj krize politike ka shqetësuar shumë njerëz, madje duke e lidhur edhe me krizat e mëparshme politike që ka kaluar vendi ynë. Sipas Dritan Hilës, një nga dramat më të mëdha të Shqipërisë ka qenë viti ’97. Sipas tij, “kur Berisha është në mes të turmës, atëherë fillon dhe paniku i madh jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i ndërkombëtarëve sepse është aktori kryesor në ’97”.

Mirëpo, gazetari i njohur nuk beson që do të përsëritet e njëjta ngjarje për shkak edhe të Aleancës Euro-Atlantike ku bëjmë pjesë.

“1997 ishte dramë e madhe. Biles kur Berisha është në mes të turmës, atëherë fillon dhe paniku i madh jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i ndërkombëtarëve sepse është aktori kryesor në ’97. Në ’97 ishte një ngjarje që vetëm në Afrikë mund të ndodhë. Nuk mund të ndodhë në vendet e Europës. Bie pushteti, hapen depot e ushtrisë, shthuret policia, shthuret ushtria, bandat vendosin postblloqe. Është një situatë që ne që e kemi përjetuar nuk do ua uronim as hasmit. Është një situatë që ka ndodhur në Afrikë.

Nuk do përsëritet sepse me kalimin e viteve jemi vend i NATO-s dhe pavarësisht zakonshmërisë që ka kjo shprehje NATO nuk do lejojë që pesë politikanë të papjekur ta bëjnë aleancën më të fuqishme të botës ta detyrojë të bjerë trupa për ta ruajtur paqen në një vend anëtar të saj. Pra në një eksportuese paqe të kthehet në një mbajtëse rregulli brenda radhëve të saj, pse pesë kacaflaqë shqiptarë që kanë 30 vjet që nuk duan të largohen nga politika duan ta përmbysin prapë kusinë”, tha Hila./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!