Oljona Fotjadhi nga Vlora bëri një rrëfim prekës në episodin e ri të “Doktor Plastik”. 36 vjeçarja rrëfeu se që kur ishte adoleshente kishte patur kompleks gjoksin e madh, pasi ishte më e zhvilluar për moshën që kishte. Përveç pamjes, gjoksi i solli një sërë problemesh të tjera shëndetësore.
Megjithatë, siç rrëfeu ajo, një vit pasi ishte martuar filloi një tjetër dramë për jetën e saj. Pasi kreu disa analiza, Oljona iu nënshtrua disa ndërhyrjeve In Vitro për të pasur fëmijë. Por, përgjatë disa viteve, ndërsa tentonte për t’u bërë nënë, ajo shtoi rreth 25 kilogramë më tepër.
“Një vit pas martese, në një analizë të rastësishme zbulojmë se e vetmja mënyrë që të kishim fëmijë ishte In Vitro. Fillon një betejë tjetër. Fillova që të kryej procedurat për të pasur një fëmijë. Kryej In Vitron e parë në 2013, dy vite e gjysmë pas martese dhe marr shuplakën e parë. Del negativ.
Pas trajtimeve që zgjatën dy muaj, ngela e shokuar. Nuk e humba shpresën, 6 muaj më vonë bëj tentativën e dytë e cila del sërish negative. Përveç shuplakave negative, më shtoheshin vetëm shpenzime dhe debit në bankë. Pas gati 9 muajsh, bëj tentativën e tretë dhe marr të njëjtën përgjigje.
Pas dy vitesh, e rimarr edhe njëherë këtë hap. Përsëri marr një përgjigje negative. Më pas e provoj dhe njëherë dhe nuk kam bërë më tentativa të tjera. Pas gjithë këtyre tentativave, disi shpresën e kam të shuar. Do të jetë një mrekulli nëse do të ndodhë.“, rrëfeu Oljona.
Ajo tregoi se prej pak kohësh ka hapur dhe një dyqan rrobash për fëmijë në Vlorë. “Jam munduar që ta mbush deri diku këto boshllëkun që kam“, tha 36 vjeçarja. Gjatë konsultës, Dr. Rezarta Kapaj në Spitalin Amerikan 2 shpjegoi se përveç reduktimit do të bëhet dhe një lifting për të rregulluar formën e gjoksit.
/abcnews.al