Moti i keq, alarm nga përmbytjet në Ballkan

schedule19:10 - 13 Maj, 2019

schedule 19:10 - 13 Maj, 2019

Moti i keq që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor ka shkaktuar probleme në Bosnje, ku janë përmbytur disa fshatra. Ndërkohë, në Serbi e Kroaci autoritetet po mbajnë nën mbikëqyrje lumenjtë Danub dhe Sava, për shkak të rritjes së nivelit nga reshjet e dendura.

Vala e motit të keq, me shira të dendura dhe erëra të forta, ka krijuar probleme në vendet e Ballkanit perëndimor, në disa prej të cilave është dhënë dhe alarmi për rrezik nga përmbytjet. Situata paraqitet kritike kryesisht në Bosnje e Hercegovinë, ku në zonën Prijedor lumenjtë janë tejmbushur duke shkaktuar frikë tek banorët e fshatrave të ndryshëm. Sipas raportimeve të mediave lokale, rreth 200 shtëpi janë përmbytur dhe po ashtu rrugët përreth, të cilat janë bërë të pakalueshme. Skuadra të shumta shpëtimi janë vënë në lëvizje për t’u ardhur në ndihmë banorëve, në veçanti të moshuarve dhe të miturve.

Ndërkohë, alarmi nga moti i keq është shtrirë edhe në Serbi dhe Kroaci, ku shirat janë po ashtu të dendur dhe erërat agresive. Nën vëzhgimin e autoriteteve janë lumenjtë e mëdhenj, kryesisht Danubi dhe Sava, të cilët vetëm 5 vjet më parë shkaktuan përmbytje të paprecedenta në të njëjtën periudhë të gjysmës së dytë të majit. Ndërkohë, në Maqedoni ekipe për menaxhimin e krizave janë mbledhur në fshatin Lisiçe të Poshtme, në rrethinat e Shkupit, për të zhbllokuar kalimin e lumit Vardar, pasi nën urën e tij janë grumbulluar degë të mëdha druri dhe mbeturina./ABC News Albania 24/7