Palmer: Rusia nuk do që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara

schedule18:00 - 13 Maj, 2019

schedule 18:00 - 13 Maj, 2019

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metju Palmer thotë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin shembull nga Maqedonia e Veriut për të zgjidhur problemet. Ai theksoi se Rusia nuk do që Ballkani perëndimor të shënojë progres në integrimin euro- atlantik .

Ndihmës sekretari amerikan të shtetit, Metju Palmer u shpreh se Beogradi dhe Prishtina mund të përdorin shembullin e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Ndër të tjera ai shtoi se objektivi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera është i njëjti – progresi. Ndërsa nga ana tjetër influence ruse në Ballkanin Perëndimor, favorizon korrupsionin dhe paqëndrueshmërinë politike në këto vende.

Palmer theksoi se shembulli i Maqedonisë së veriut tregon qartë se si duhet rezistuar ndaj influencës negative, se si merren përgjegjësitë duke I dhënë fund bllokadave. Një recetë që mund të përdoret dhe nga Serbia e Kosova.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha se nuk ka ndryshuar asgjë nga politika e përbashkët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për sa i përket rajonit të Ballkanit perëndimor.

Palmer u shpreh se njësoj si në çerek shekullin e fundit, objektivi për Ballkanin perëndimor, është që rajoni të vazhdojë përpara në integrimin në Bashkimin Evropa, dhe implementimi i reformave të suksesshme në këto vende, që do i çonte ato në rrugën euroatlantike. Palmet paralajmëroi se Rusia do të preferonte të shihte një rajon të ndarë në fraksione, dhe ku mbizotërojnë tensione.

Ai u shpreh i bindur se Rusia do të vazhdojë të veprojë si më parë dhe të influencojë negativisht.

“Në mënyrë që të jemi të sigurt se vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i rezistojnë vërtet kësaj influence negative, duhet të ketë siguri që institucionet janë funksionale, të përgjegjshme, transparente dhe të menaxhuara në mënyrë të mirë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura në këtë pikë dhe ne po punojmë nga afër me qeveritë dhe institucionet në Ballkanin perëndimor, në mënyrë që të arrijmë këtë objektiv,” përfundoi Palmer./ABC News Albania 24/7